Shqipëria do të sfidojë Poloninë të enjten më 26 mars në orën 21:00, në ndeshjen e vlefshme për play off-in e Botërorit.
Ndërkohë, është zbuluar emri i arbitrit që do të vendosë drejtësi. Bëhet fjalë për anglezin, Antoni Tejlor, i cili para dy vitesh arbitroi finalen e Superiores mes Egnatias dhe Partizanit, ku fituan rrogozhinasit titullin e parë kampion me rezultatin 1-0 në 2024-ën.
Arbitri 47-vjeçar i cili mban prej kohësh stemën e FIFA-s, ka një karrierë të pasur në botën e futbollit pasi drejton takime të nivelit të lartë në Premier Ligë, Champions, Ligën e Europës etj.
Gjithashtu, Tejlor ka gjykuar edhe disa finale të rëndësishme, ku vlen të përmendet finalja e Ligës së Europës mes Sevijës dhe Romës, ndeshjen finale të FIFA Club World Cup në sezonin 2022/2023, Real Madrid – Al-Hilal, takimin final të UEFA Nations League të sezonit 2020/2021, Spanjë – Francë, sfidën finale të UEFA Super Cup 2020/2021, Bajern Mynich-Sevija etj.
Në ndeshjen Egnatia-Partizani, ai kishte dy ndihmësit e tij Geri Besuik dhe Adam Nun, të cilët do të vijnë në ndihmë edhe në duelin e Kombëtares.

