Tensione të forta janë regjistruar në rrugën pranë Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, ku protestuesit kanë tentuar të çajnë kordonin e policisë, duke sjellë përplasje të forta me forcat e rendit.
Në vijën e parë të incidentit ka qenë deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, i cili ka tentuar të thyejë kordonin e efektivëve, duke u përfshirë në përplasje fizike me ta.
Menjëherë pas përshkallëzimit të situatës, policia ka ndërhyrë duke përdorur gaz lotsjellës dhe ujë për të shpërndarë turmën. Fillimisht, reagimi i forcave të rendit u duk i papritur, pasi nuk u evidentua përdorimi i mjeteve të dhunshme nga protestuesit në ato momente, por tensionet u rritën pas përplasjes së Nokës dhe demokratëve me efektivët.
Pas këtyre incidenteve, një prej organizatorëve të protestës u bëri thirrje me megafon pjesëmarrësve që të “ndjekin turmën”, duke orientuar vijimin e marshimit në rrugët e kryeqytetit.




