Protestë në ditë feste, PD-ja vijon aksionin kundër qeverisë, ja rrugët që do të bllokohen

PD do të zhvillojë sot në orën 18:00 protestën e radhës në Tiranë, duke vijuar aksionin opozitar kundër qeverisë.

Në fokus të tubimit janë kërkesat për largimin e kryeministrit Edi Rama, krijimin e një qeverie teknike dhe garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Protesta e kësaj të diele përkon me festën e Sulltan Novruzi, ndërsa demokratët i kanë dhënë edhe një simbolikë historike, duke e lidhur me 22 marsin e vitit 1992, datë që shënon fitoren e tyre në zgjedhjet e para pluraliste pas rënies së komunizmit.

Një ditë më parë, kreu i opozitës Sali Berisha u bëri thirrje qytetarëve për pjesëmarrje masive, duke e cilësuar protestën si kryengritjen më të madhe paqësore të opozitës.

Njoftimi:

Tiranë

Në bazë dhe në zbatim të ligjit “Për tubimet”, Policia e Tiranës ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për garantimin e rendit publik në tubimin që do të zhvillohet ditën e sotme, në orën 18:00, përpara Kryeministrisë.

Në këtë kuadër, do të ketë kufizime të lëvizjes në disa akse rrugore. Konkretisht:
-Nga ora 09:30 deri në përfundim të tubimit, do të bllokohet lëvizja e automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga Ura deri në kryqëzimin me rrugën “Ismail Qemali”;
-Nga ora 15:00 deri në përfundim të tubimit, do të bllokohen rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.

Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore. Në rast bllokimi, për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në këto akse, Policia e Tiranës ka marrë masa për devijimin e qarkullimit të automjeteve në rrugë alternative.

Policia e Tiranës kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për kufizimin e lëvizjes me automjete, si dhe apelon që të distancohen në rast se gjenden përballë veprimeve të kundërligjshme që cenojnë rendin dhe sigurinë publike.


Shtuar 22.03.2026 09:41