Një mësues 58-vjeçar është proceduar penalisht, pas denoncimit në rrjetet sociale për dhunë ndaj nxënësve të tij në klasë, gjatë orës së mësimit.
Policia e Sarandës konfirmoi sot (19 mars) se ka marrë nën hetim arsimtarin G.N., banues në fshatin Velhov, menjëherë pas rastit të publikuar për keqtrajtimin e një prej fëmijëve.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin G. N., 58 vjeç, banues në fshatin Velhov, mësues në një shkollë 9-vjeçare në fshatin Finiq, pasi dyshohet se ka keqtrajtuar një nxënës, gjatë orës së mësimit (Rasti u publikua në rrjete sociale)”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë vendore.
Hetimet po i ndjek organi i akuzës, teksa po mblidhen dëshmi dhe prova për zbardhjen e plotë të ngjarjes, teksa janë siguruar edhe pamje.
Në një video që u bë shumë shpejt virale në rrjet, shihet profesori i lëndës së Fizikës duke ushtruar dhunë ndaj një nxënësi.
Sipas shokëve të klasës, ngjarja ka ndodhur brenda ambientit të shkollës, pasi nxënësi i kishte pëshpëritur një fjalë në vesh një shoku të tij gjatë orës së mësimit.
Ata thanë se reagimi i mësuesit ka qenë i menjëhershëm dhe i ashpër, duke kaluar në dhunë fizike ndaj të miturit.
