Rritja e çmimit të naftës/ Rama me furnizuesit: Keni rezerva për 30 ditë! Kriza në Lindjen e Mesme s’mund të projektohet mbi supet e konsumatorit

Këtë të mërkurë, kryeministri i vendit Edi Rama, zhvilloi një bashkëbisedim me furnizuesit e naftës në vend, ku theksoi se, pavarësisht rritjes së ndjeshme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare, në Shqipëri kjo rritje ka qenë më e përmbajtur.

Rama nënvizoi se ndërsa në bursat ndërkombëtare është regjistruar një rritje rreth 40% e çmimit të naftës, në tregun vendas kjo rritje ka qenë më e moderuar krahasuar me vende të tjera.

Kreu i qeverisë theksoi se situata mbetet e pasigurt dhe e lidhur ngushtë me zhvillimet gjeopolitike.

“Dëshiroj të shpreh konsideratën pozitive për qasjen tuaj, që ka qenë në këtë fazë një qasje e përgjegjshme. Nëse në tërësi në treg dhe përmes bursave është konstatuar një rritje 40% e çmimit, në Shqipëri çmimi është rritur por në mënyrë më të moderuar, sesa rritja që është parë në disa vende të tjera.

Sfida është e hapur, nuk do të thotë askush se kur do të mbyllet ajo betejë që mban lidhur pas vetes edhe çmimin e naftës, nuk ti të thotë askush si do të shkojë çmimi në bursë, por është e sigurt që ne duhet të bëjmë atë që mund të bëjmë dhe që na takon. Duke filluar nga rezerva, sipas informacioneve të marra konsiderohet që ju keni një rezerve të arsyeshme, që fizikisht është aty për 30 ditë, ndërkohë që në kontratat tuaja figuron e garantuar për 100 ditë. Megjithatë mbetet për tu monitoruar ditë pas dite e gjithë situata”, tha Rama.

Rama u shpreh se qeveria po punon për ndryshime ligjore që synojnë rritjen e rezervës shtetërore të karburanteve deri në tre muaj, në përputhje me standardet e sigurisë energjetike.

“Ne kemi një konsultim ligjin për rezervën shtetërore që duhet të shtrihet fizikisht në 3 muaj dhe me dy fjalë dua t’ju them që ne jemi në punë për të finalizuar një nismë që kemi ndërmarrë për të futur në treg si distributor një faktor shtetëror. Ne besojmë se do ta bëjë edhe më të lehtë për ju punën, pasi do të garantojë sasirat e nevojshme duke pasur garanci shtetërore dhe do të lehtësojë marrëdhëniet me të tretët. Ne do synojmë që të kemi një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me kompanitë. Dua ta mbyll duke kërkuar që të ruani këtë ekuilibër që keni ruajtur deri tani”, u shpreh kryeministri.

Gjithashtu, kryeministri theksoi se qeveria nuk e ka parë të nevojshme rikthimin e Bordit të Transparencës, duke argumentuar se dialogu me operatorët ka funksionuar deri më tani.

“Ne nuk kemi parë të arsyeshme që të hedhim hapim dhe të kalojmë në bord, pasi nëse dialogu funksionon, ne qëllimin nuk e kemi që t’ju shtrëngojmë në punën tuaj, por të merremi vesh që kriza në lindjen e mesme nuk mund të projektohet mbi supet e konsumatorit. Ky është qëllimi ynë. Më mirë marzhe më të ulta sesa bordin në kurriz”, deklaroi Rama.


Shtuar 18.03.2026 14:15