Tentoi të futej në shtëpi nga dritarja/ 20-vjeçarja shqiptare ra nga rreth 10 metra lartësi dhe humbi jetën, zbardhen pistat e hetimit

Detaje të tjera janë zbuluar nga ngjarja tragjike në Itali, ku një 20-vjeçare me origjinë shqiptare, e identifikuar si Anxhela Byku, ka humbur jetën pasi ra nga lartësia e një pallati në qytetin e Piacenzës.

E reja ishte shtruar në gjendje shumë të rëndë në repartin e terapisë intensive të spitalit të Piacenzës, pasi kishte rënë në oborrin e pallatit ku jetonte bashkë me bashkëshortin e saj, gjithashtu shqiptar.

Sipas mediave italiane, 20-vjeçarja kishte pësuar plagë shumë të rënda, pasi kishte rënë nga rreth dhjetë metra lartësi, duke marrë një traumë të rëndë në kokë.

Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ajo nuk mundi t’u mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë në spital.

Nga hetimet e kryera nga karabinierët e njësisë hetimore është përjashtuar përfshirja e personave të tretë në këtë ngjarje.

Sipas rindërtimit paraprak, e reja dyshohet se kishte mbetur jashtë apartamentit të saj dhe në përpjekje për t’u futur brenda ka tentuar të kalojë nga një dritare duke ecur në pjesën e jashtme të ballkonit. Në ato momente ajo dyshohet se ka humbur ekuilibrin dhe ka rënë në oborrin e brendshëm të ndërtesës.

Ishte bashkëshorti i saj ai që e gjeti të shtrirë në tokë dhe njoftoi menjëherë shërbimet e emergjencës. E reja u transportua me urgjencë në spitalin më të afërt, rreth 700 metra larg, por plagët rezultuan fatale.

Hetuesit kanë konstatuar se dera e apartamentit ishte e mbyllur dhe furra në kuzhinë ishte ende e ndezur, ç`ka sugjeron se 20-vjeçarja ndoshta po përgatiste diçka për të ngrënë pak para aksidentit.

Për më tepër, nuk u gjet asnjë dëmtim në duart e saj, pasi dyshohet se rënia e ka ndodhur papritur dhe ajo s’ka mundur të kapet diku.

Pas ngjarjes, bashkëshorti i saj është marrë në pyetje për disa orë nga karabinierët, ndërsa më pas është rikthyer në spital për të ndjekur gjendjen e të resë.

Ndërkohë, pranë spitalit janë mbledhur familjarë dhe miq të viktimës, të cilët për disa ditë kanë pritur me ankth lajme për gjendjen e saj.

Nga Shqipëria kishin mbërritur edhe nëna dhe motra e 20-vjeçares, të shkatërruara nga dhimbja për humbjen tragjike.


Shtuar 16.03.2026 11:37