Kosova do të njohë dokumentet e serbëve në Veri/ Vuçiç: Është një lehtësim për bashkëatdhetarët tanë

Presidenti i Serbisë, Aleksadër Vuçiç ka reaguar pas vendimit të Kosovës, e cila do t’u njohë dokumentet e Beogradit serbëve në veri të saj. Vuçiç tha se ndryshimet në Ligjin për të huajt në Kosovë, ishte një lehtësim për shtetasit serbë.

Siç citohet nga agjencia e lajmeve Tanjug, presidenti serb njoftoi se do të udhëtojë drejt kufirit me Kosovën brenda shtatë deri në dhjetë ditësh.

“Ndërsa nuk ka zgjidhje të lehta dhe të thjeshta, me interpretime të ndryshme e kështu me radhë, për ta është ende një lehtësim. Është arritur një model. Midis shtatë dhe dhjetë ditë do të shkoj në vendkalimet kufitare për të biseduar me popullin tonë, për të vizituar rajonin kufitar të Raskës,” tha udhëheqësi serb gjatë një vizite në fshatin Mramorac.

Mediat shkruajnë se Vuçiç tha se është mirënjohës për përpjekjet e evropianëve, të cilët donin të shmangnin një katastrofë dhe konflikt edhe më të madh në këtë moment.

“Dhe unë jam mirënjohës për përpjekjet e që donin të shmangnin një katastrofë edhe më të madhe dhe konfliktet në këtë kohë”, theksoi Vuçiç.


Shtuar 14.03.2026 22:05