“Kush më del kundër, e sakatoj!”/ Bushati: Rama kërcënoi kryesinë e PS-së para votimit për Ballukun

Analisti Andi Bushati, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, deklaroi se votimi kundër heqjes së imuntetit të Belinda Ballukut, është përplasja e parë e Edi Ramës me SPAK, por edhe me europianët.

Bushati tha se Rama nuk ndihet komod dhe zbuloi disa momente të mbledhjes me dyer të mbyllura të kryesisë së PS, ku sipas Bushatit, Rama ka kërcënuar anëtarët e kryesisë, që asnjëri të mos dilte kundër në votimin për imunitetin e Ballukut.

“Ky është lajmi i parë, kemi kaluar nga një qëndrim i Ramës dhe PS që çdo imunitet do ta japim, në një qëndrim që e gjykojmë ne e japim apo jo. Për mua, kjo është përplasja e parë reale mes Ramës dhe SPAK.

E dyta, kjo është nga përplasjet e rralla, Rama ka qenë i përkëdheluri i perëndimit, sot pamë të gjithë reagimet.

Bashkohem me shumë nga vërejtjet e Ramës për SPAK, denigron njerëzit, burgos kot, etj, por këto i kemi thënë. Problemi është që ndërkombëtarët kanë vendosur që SPAK është histori suksesi. Kjo e ka vënë Ramën përballë me europianët.

Pse ndodh kjo dhe në çfarë gjendje jemi?

Rama në kryesi dje u është drejtuar derdimenëve atje “kush më del kundër, unë e sakatoj!”. Ka patur një gjuhë, “nuk dua njeri kundër”. Ka guxuar Elisa e shkretë të flasë dhe ai ka thënë “ik moj ti se unë bëj ministre dhe të heq”.

A ka thyerje mes Ramës dhe SPAK? A ka element të tjerë që janë futur në mes? Për mua ka një thyerje. Pse ka ardhur? A kemi një SPAK të drejtë sot?

Të thashë, kur e dëgjova Ramën në grup parlamentar, për paraburgimet ka të drejtë, për prezumimin e pafajësisë ka të drejtë, edhe për faktin që një njeri që akuzohet për pabarazi në tendera të paraburgoset, edhe këtë ka të drejtë. Por ky SPAK kështu ka vepruar me të gjithë. Kjo na risjell te pyetja, pse nuk është merakosur Rama dhe PS kur ky SPAK ishte kaq represiv me të gjithë dynjanë? Kjo na bën të kthehemi te pyetja, çfarë ka ndodhur që janë thyer?”, deklaroi Bushati.


Shtuar 12.03.2026 21:32