Ish-deputeti i PS kritikon Ramën dhe socialistët për pengimin e heqjes së imunitetit të Ballukut: Hap prapa në procesin e sundimit të ligjit

Ditën e sotme, në një reagim në rrjete sociale, ish-deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi, është shprehur kritik ndaj qëndrimit të deputetëve të partisë së tij, për të mos lejuar heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut dhe për t’ia dorëzuar drejtësisë.

Ish-deputeti shprehet refuzimi i kërkesës së SPAK për të dhënë masë më të rëndë sigurie ndaj ish- zëvendës kryeministres që është nën akuzë, përbën hapa pas për sundimin e ligjit.

“Nuk është fundi i botës dhe as kohë e dielltë për opozitën berishiane, por vendimi i sotëm i refuzimit të kërkesës së SPAK për lejen e Kuvendit për masë sigurimi ndaj një deputeteje nën ndjekje penale përbën një hap prapa për procesin politik dhe sundimin e ligjit në Shqipëri”, shkruan Koçi.

Ai argumenton se shqetësimi i socialistëve për aplikimin e tepërt të masave të rënda të sigurisë, nuk mund të përdoret për një rast individual si ai i Ballukut, por një shqetësim i tillë duhet të adresohet duke marrë në shqyrtim praktikat më të mira ndërkombëtare dhe të Komisionit të Venecias.

“Unë e vlerësoj shqetësimin e përhapur lidhur me zgjerimin e aplikimit të vendimeve me arrest paraprak si masë sigurimi ndaj disa figurave politike nën ndjekje penale, por trajtimi i këtij shqetësimi nuk mund të administrohet nëpërmjet një rasti individual, por vetëm nëpërmjet ndërhyrjeve të konsultuara me praktikat ndërkombëtare në legjislacion apo nëpërmjet vendimeve normuese të shkallëve të larta të gjyqësorit, edhe këto të konsultuara paraprakisht me Komisionin e Venecias”, shtoi ai.

Më tej, ai thotë se:

“Ndërhyrja selektive e politikës së ditës në mbrojtje të individëve të caktuar të saj ndaj ndjekjes penale, opozita në rastin Berisha apo maxhoranca në rastin Balluku, e kompromenton angazhimin publik dhe parimor të klasës politike për të respektuar drejtësinë e re në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar”.


Shtuar 12.03.2026 15:44