Do jepte pasaportën evropiane, por doli një Haxhi Qamil/ Berisha në mbledhjen e grupit: Rama po zbaton skenarin e zi të largimit të Shqipërisë nga BE

Këtë të mërkurë, kreu i Partisë Demokratike, akuzoi  nga mbledhja e grupit parlamentar demokrat kryeministrin Edi Rama, se po e largon vendin nga ëndrra e Bashkimit Evropian dhe po zbaton ‘skenarin e zi” të mbrojtjes së vjedhjeve të vetes dhe zyrtarëve të korruptuar rreth tij, duke përdorur mandatet e deputetëve si bajoneta në seancën e nesërme parlamentare.

Ai tha se Rama do mbrojë Belinda Ballukun, duke rrëzuar kërkesën e SPAK për heqjen e mandatit zv/kryeministres së shkarkuar, pezulluar dhe të pandehur nga drejtësia.

Sipas kreut të selisë blu, “Rama po shpëton lëkurën e tij”.

“Po bëhet një akt i pashembullt në 34 vite pluralizëm. Mblidhemi këtë ditë, para se kreu i organizatës kriminale Edi Rama të përdorë mandatet e krimit të tij si bajoneta kundër çdo shqiptari. Mblidhemi në një kohë kur për të mbrojtur lëkurën e tij, për të mbrojtur krimet që ka kryer, ai vendos t’i mbyllë dyert drejtësisë shqiptare. Vendos de fakto asgjësimin e pushtetit gjyqësor, vendos mburojën e plotë të mazhorancës së krimit apo mandateve të krimit për vjedhjet e tij dhe të qeveritarëve”, tha ai.

Më tej, nënvizoi se kryeministri ka një plan të zi për Shqipërinë dhe ndërsa para zgjedhjeve premtonte pasaportë evropiane për shqiptarët, tani po kthehet në një Haxhi Qamil.

Madje theksoi se shqiptarëve po u jepet pasaporta e Beogradit

“Vendos në kuadrin e një skenari më të zi, skenarin e shkëputjes së Shqipërisë nga procesi i integrimit nga BE. Pasi përpjekjet e jashtëzakonshme të bëra në vite për një ëndërr të kahershme të shqiptarëve për një ëndërr të rilindësve tanë, të një kombi që zgjohet pas 5 shekuj dhimbje, ai e projektoi për zonjë në Evropë, por tani del një Haxhi Qamil, bandit, pa nder dhe flamur, një padrino që vetëm pak muaj më parë bërtiste për pasaportën evropiane që do i dhuronte shqiptarëve dhe ka në xhep pasaportën e Beogradit në vend të saj”, deklaroi kreu i demokratëve.


Shtuar 11.03.2026 14:20