Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, transmetoi një mesazh video në televizionin shtetëror iranian, ku kërkoi falje ndaj vendeve fqinje që u goditën gjatë zhvillimeve të fundit ushtarake.
“E konsideroj të nevojshme të kërkoj falje ndaj vendeve fqinje që u sulmuan”, u shpreh ai në deklaratën e tij.
Presidenti theksoi se Irani nuk ka synim të pushtojë vendet e rajonit dhe bëri thirrje për bashkëpunim rajonal për të vendosur paqe dhe qetësi.
Pezeshkian shtoi se është marrë edhe një vendim i ri nga drejtuesit e vendit për forcat e armatosura.
“Sot e tutje, forcat tona të armatosura nuk do të sulmojnë vendet fqinje, përveç nëse sulmohen të parat”, deklaroi ai.
Në fund të mesazhit të tij, presidenti iranian paralajmëroi edhe vendet që mund të përpiqen të përfitojnë nga situata aktuale për të sulmuar Iranin.
“Ata që po mendojnë të shfrytëzojnë këtë moment për të sulmuar Iranin nuk duhet të bëhen kukulla të imperializmit”, tha ai, duke shtuar se mbështetja ndaj Izraelit apo SHBA nuk është një rrugë drejt nderit dhe lirisë.
