Deklaroi se nuk ishte paguar/ RTSH ngre padi për mashtrim ndaj moderatorit Florian Agalliu

RTSH ka paditur moderatorin Florian Agalliu, pasi sipas tyre ai ka mashtruar gjykatën në lidhje me pagën. Ai ka deklaruar se ka qenë punonjës i RTSH-së dhe nuk ka marrë pagat përkatëse. Por bazuar në dokumentet zyrtare, rezulton se Agalliu nuk ka qenë punonjës me pagë, por përfitues i një projekti të jashtëm me afat të përcaktuar.

Ai ka qenë moderator i një emisioni mëngjesi. Ai ka paraqitur në gjykatë një status juridik të pasaktë të marrëdhënies së tij me RTSH-në. Kjo duke e paraqitur atë si një marrëdhënie punësimi të rregullt. Në lidhje me këtë situatë, RTSH ka ngritur një padi ndaj ish-moderatorit për mashtrim. Kjo padi është bërë në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë.

Me anë të kësaj, RTSH kërkon gjithashtu pezullimin dhe pavlefshmërinë e titullit ekzekutiv të vendimit të datës 28.01.2026 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. RTSH thotë se pretendimi se Agalliu nuk është paguar, është i pavërtetë. Kjo pasi, sipas tyre detyrimi financiar është duke u shlyer në formën e honorareve.


Shtuar 1.03.2026 15:52