Këtë të enjte 26 shkurt 2026, do të ekstradohet nga Dubai drejt Shqipërisë i shumëkërkuari Durim Bami, i cili u arrestua rreth dy vite më parë, më 12 Qershor 2024, në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Ndaj tij rëndojnë akuza për vepra të ndryshme penale, nga sigurimi i kushteve për të kryer vrasje, tek grup i strukturuar kriminal dhe kultivim narkotikësh.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 15.05.2024, i ka caktuar Bamit masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale, ose grup i strukturuar kriminal”.
Kujtojmë se pas arrestimit në Dubai, Durim Bami, ka bërë kërkesë autoritetevr të mos ekstradohet në Shqipëri, me arsyen se i rrezikohet jeta.
Mësohet se Bami ka pretenduar se në Shqipëri, janë rreth 16 banda që tentojnë ta eliminojnë fizikisht dhe nëse sillet në Shqipëri rrezikon të ekzekutohet.
Ai është një nga personazhet që del edhe në komunikimet “Sky ECC” aleancat që ai ka krijuar apo është bërë pjesë në përplasjet që kanë pasuar mes grupeve kriminale.
Porositi vrasjen e ish-deputetit socialist, kush është Durim Bami
Durim Bami 45-vjeç, akuzohet për organizimin dhe porositjen e vrasjes së mbetur në tentativë të ish-deputetit socialist Arben Ndoka, pasi ky i fundit organizoi një atentat ndaj tij në nëntor të vitit 2020.
SPAK goditi shtatë grupe kriminale dhe ngriti akuza kundrejt pesëdhjetë të dyshuarve në maj të këtij viti, një nga goditjet më të gjera kundër strukturave të krimit të organizuar në vend, të cilat shtrinin aktivitetin e tyre në një pjesë të madhe të territorit, nga Shkodra në Lezhë, Mamurras, Fushë-Krujë, Rrëshen, Burrel, Tiranë, Shijak, Durrës, Fier e Vlorë, duke zbardhur tetëmbëdhjetë episode kriminale, hetim që u mundësua falë ndihmës së vendeve partnere si dhe institucioneve Eurojust dhe Europol.
Sipas dosjes, e cila përfshin aktivitete kriminale prej pak më shumë se një vit nga fillimi i vitit 2020 deri në fillimin e vitit 2021, Bami u vu nën shënjestër për t’u ekzekutuar nga Arben Ndoka, për shkak se Ndoka dyshonte se ishte organizator i vrasjes së vëllait të tij Aleksandër Ndoka. Atentati ndaj Bamit në nëntor 2020 dështoi, gjë që solli plane nga ana e Bamit për të vrarë Arben Ndokën.
Në dosjen e shtatë bandave, Bami paraqitet si një biznesmen i fuqishëm, i cili porosit dhe organizon vrasje, kultivon kanabis në sasi të stërmëdha dhe në një territor të gjerë nga bregdeti i Adriatikut deri në malësinë e Krujës si dhe korrupton policë të ndryshëm për çështje nga më të ndryshmet, nga lejimi i muzikës së lartë për lokalin e tij të parapëlqyer në Tiranë te mosrraportimi i krimeve apo vonesa e inspektimeve kundër kultivimit të drogës.
Ai paraqitet në një rast si agjent pronash të patundshme kur një person i paidentifikuar i kërkon ndihmë për të shitur një mjedis biznesi në Tiranë “për një nga çunat e Anglisë” me sipërfaqe 240 metra katrorë dhe më çmim 4 mijë euro për metër katrorë. Komunikimet e Bamit në Sky ECC sugjerojnë se ai e gjeti blerësin potencial me shpejtësi duke e prezantuar ofertën si shumë të mirë pasi, në zonën e Komunës së Parisit, ku gjendej prona për shitje, sipas Bamit, çmimet arrijnë në 7 mijë euro për metër katror.
Ekstradimet nga Dubai kanë rezultuar të vështira për Shqipërinë, gjë që e ka bërë këtë vend në Lindjen e Mesme destinacion të shumë figurave të krimit shqiptar.
Njoftimi i policisë:
Policia e Shtetit/Vijon operacioni ndërkombëtar i koduar “The Wanted”, për lokalizimin, kapjen dhe finalizimin e procedurave të ekstradimit të shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Pritet finalizimi i procedurave të ekstradimit gjatë ditës së sotme, nga Dubai, në Shqipëri, të një shtetasi të shumëkërkuar.
Në vijim të bashkëpunimit të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, ditën e sotme, pritet të ekstradohet nga Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe, në Shqipëri, shtetasi D. B., 47 vjeç, banues në Nikël, Krujë.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 15.05.2024, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale, ose grup i strukturuar kriminal”.
Pas mbërritjes së këtij shtetasi, do të ketë një njoftim të plotë për median.
