Familjarët e Armir Shahinit kanë publikuar një reagim zyrtar në Instagram lidhur me trajtimin e tij gjatë pjesëmarrjes në Big Brother Albania VIP.
Në deklaratë thuhet se Armiri është rritur me vlera dhe ka hyrë në format me synimin për të qenë vetvetja dhe për të kontribuar pozitivisht.
Sipas familjes, sjellja e tij është interpretuar dhe transmetuar jo gjithmonë në mënyrë të drejtë, ndërsa etiketimet dhe akuzat e rënda ndaj tij kanë tejkaluar kufijtë e pranueshëm.

Familjarët theksojnë se cenimi i identitetit moral dhe profesional të Armirit nuk duhet të shndërrohet në sensacion mediatik apo mjet për të nxitur reagime publike në dëm të dinjitetit të tij.
Ata shtojnë se ironia e përdorur nga ai në disa raste ka qenë mënyrë për të përballuar presionin e vazhdueshëm brenda shtëpisë.
Në reagim kërkohet që situata të trajtohet me kujdes dhe me standarde profesionale, duke shprehur besimin se produksioni dhe ekipi përgjegjës, do ta menaxhojnë situatën me përgjegjësi dhe në përputhje me vlerat e formatit.
Në fund, familja Shahini falënderon mbështetësit dhe publikun për përkrahjen, duke theksuar se reagimi është bërë për të mbrojtur emrin dhe dinjitetin e Mirit.
