Izraeli ofron dozën e tretë të vaksinës për të rriturit në rrezik

Izraeli tha të dielën se do të fillojë të ofrojë dozën e tretë të vaksinës Pfizer/BioNTech kundër koronavirusit, për të rriturit me sistem të dobët imunitar.

Përhapja e shpejtë e variantit Delta të koronavirusit ka rritur rastet në Izrael gjatë muajit të kaluar, nga numra njëshifrorë në rreth 450 në ditë.

Ministri i Shëndetësisë i Izraelit, Nitzan Horowitz, tha se të rriturit me sistem të dobët imunitar, që kanë marrë dy doza të vaksinës Pfizer/BioNTech, mund të marrin edhe dozën e tretë përforcuese.

Kompanitë Pfizer dhe BioNTech – furnizueset kryesore të Izraelit me vaksina – thanë të enjten se do të kërkojnë nga rregullatorët shëndetësorë në SHBA dhe Evropë që të autorizojnë dozën e tretë përforcuese.

Dy kompanitë përmendën një rrezik në rritje të infeksionit gjashtë muaj pas imunizimit me dy doza.

Edhe pse shkaktuan kritika nga disa shkencëtarë dhe zyrtarë, ato nuk i ndanë të dhënat që tregojnë për atë rrezik, por thanë se së shpejti do të bëhen publike.

“Ne jemi duke e shqyrtuar këtë çështje dhe ende nuk kemi përgjigje përfundimtare”, tha Horowitz.

“Në çdo rast, ne po administrojmë tani dozën e tretë për njerëzit që vuajnë nga mungesa e imunitetit”, shtoi ai.

Rreth 5.7 milionë njerëz nga popullsia 9.3-milionëshe e Izraelit kanë marrë së paku një dozë të vaksinës kundër koronavirusit.

Sipas autoriteteve shëndetësore atje, rreth gjysma e 46 pacientëve që janë në gjendje të rëndë dhe të hospitalizuar në Izrael, janë të vaksinuar.

Shumica e tyre thuhet se janë nga grupet e rrezikut.

Udhëheqësi i Departamentit të Shëndetit Publik në Ministrinë e Shëndetësisë në Izrael, Sharon Alroy-Preis, tha se autoritetet nuk do të nxitojnë për t’i dhënë doza përforcuese publikut të gjerë./REL


Shtuar 11.07.2021 20:50