Rreth 57 kilogramë lëndë narkotike kanabis dhe një armë zjarri automatike janë sekuestruar në Vlorë, ndërsa dy persona janë arrestuar në flagrancë.
Bëhet fjalë për shtetasit Fioraldo Meminaj, 41-vjeç, banues në fshatin Trevllazër, dhe Lirim Likaj 40-vjeç, banues në fshatin Mavrovë.
Gjatë ndalimit dhe kontrollit të një automjeti tip “Volkswagen Touran”, u gjet një sasi kanabisi e përgatitur për shitje.
Në vijim, gjatë kontrolleve në banesat e tyre, u zbulua pjesa tjetër e lëndës narkotike, si dhe një armë zjarri automatike model 56 me një karikator me 30 fishekë.
Njoftimi:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Brotherhood”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje.
Sekuestrohen rreth 57 kg lëndë narkotike kanabis dhe 1 armë zjarri automatike.
Arrestohen në flagrancë 2 shtetas.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative, për dy shtetas që dyshohet se merreshin me transport dhe shitje të lëndës narkotike, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Brotherhood”.
Shërbimet e Policisë ndaluan dhe kontrolluan automjetin e dyshuar tip “Volkswagen Touran”, me të cilin udhëtonin shtetasit Fioraldo Meminaj,. dhe Lirim Likaj.
Nga kontrolli i automjetit u gjet dhe u sekuestrua, në cilësinë e provës materiale, një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis, e përgatitur për shitje.
Në vijim të operacionit dhe veprimeve procedurale, nga kontrolli i ushtruar në banesën e shtetasit F. M., banues në fshatin Trevllazër, Vlorë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një sasi tjetër kanabisi, gjithsej rreth 57 kg lëndë narkotike e dyshuar kanabis.
Gjithashtu, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit L. L., banues në fshatin Mavrovë, Vlorë, u gjet dhe u sekuestrua 1 armë zjarri automatike, model 56, së bashku me një karikator me 30 fishekë luftarakë.
Në përfundim të veprimeve, u arrestuan në flagrancë shtetasit:
-Fioraldo Meminaj., 41-vjeç, banues në fshatin Trevllazër, Vlorë;
-Lirim Likaj., 40-vjeç, banues në fshatin Mavrovë, Vlorë,
për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Hetimet vijojnë për zbulimin dhe dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie të paligjshme, si dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.
