Protesta e opozitës/ Media prestigjioze franceze: Përleshje mes policisë dhe protestuesve për shkak të akuzave për korrupsion qeveritar

Policia shqiptare përdori të premten topa uji dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë protestat e dhunshme të Partisë Demokratike, të udhëhequra nga ish-kryeministri Sali Berishë, kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama, raporton France24. Demonstruesit hodhën fishekzjarrë dhe bomba molotov drejt ndërtesës së qeverisë, duke detyruar policinë të ndërhyjë.

Mijëra mbështetës të PD u mblodhën fillimisht jashtë selisë së qeverisë, duke kërkuar dorëheqjen e Ramës. Berisha deklaroi se “do të shpëtojmë Shqipërinë nga Edi Rama, i cili e ka zhytur vendin në varfëri dhe korrupsion”, por fjalimi i tij u ndërpre për shkak të dhunës. Demonstruesit u drejtuan më pas drejt parlamentit, ku përleshjet me policinë vazhduan për dy orë në rrugët përreth ndërtesës, duke përfshirë forcat anti-trazira.

Policia njoftoi për 30 persona të arrestuar, ndërsa PD raportoi për 40 mbështetës të saj të ndaluar. Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, dënoi dhunën dhe e cilësoi sulmin ndaj policisë si një “krim”.

Protesta vjen në një periudhë të tensionuar politike në Shqipëri, pas skandaleve të korrupsionit që kanë përfshirë zëvendëskryeministren Belinda Balluku dhe disa ish-ministra, duke rritur vëmendjen e Bashkimit Evropian mbi luftën kundër korrupsionit si pjesë e bisedimeve të anëtarësimit me Tiranën.


Shtuar 21.02.2026 09:25