FOTO/ Përfundon takimi Kurti–Rama, premtohet thellimi i bashkëpunimit Kosovë–Shqipëri

Takimi mes kryeministrit Albin Kurti dhe homologut Edi Rama ka përfunduar. Diskutimi mes dy liderve ka qenë i larmishëm, por është fokusuar te thellimi i marrëdhënieve dhe bashkëpunimit mes dy vendeve.

“Marrëdhëniet ndërshtetërore, marrëveshjet ndërqeveritare, projektet infrastrukturore me interes të përbashkët dhe mundësitë e reja në këtë mandat të dy qeverive, ishin ndër temat kryesore të diskutimit”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Rama uroi kryeministrin Kurti për fitoren në zgjedhjet e 28 dhjetorit dhe për formimin e Qeverisë.

Ndërkohë që kryeministri Kurti shprehu falënderimin e tij dhe vullnetin e Qeverisë që drejton për forcimin dhe zgjerimin e marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë në shërbim të qytetarëve dhe mbarë kombit.

“Bashkëpunimi dhe marrëveshjet e deritanishme ndërshtetërore në pesë vitet e fundit kanë përfshirë njësimin e teksteve shkollore, projektet kulturore mbarëkombëtare, projektet infrastrukturore, si hekurudha Prishtinë-Durrës, lehtësimin e lëvizjes në zonat kufitare, njohjen e diplomave, pastaj bashkëpunimi në energji, siguri, sport, transport, turizëm dhe zhvillim ekonomik”, vijon njoftimi i Zyrës së Kryeministrit.

Pas takimit ka reaguar dhe kryeministri Albin Kurti me një postim në Facebook, ku shkruan:

“Mirëprita Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Diskutuam për marrëveshjet bilaterale që kemi dhe fushat se ku mund t’i shtojmë ato, për mundësitë e reja dhe si t’i shfrytëzojmë sa më mirë, si dhe për sfidat e përbashkëta dhe mënyrat për t’i tejkaluar ato sa më lehtë.
Me mandatet tona të ripërtërira, përmes bashkëpunimit ndërqeveritar dhe ndërshtetëror, le t’u shërbejmë edhe më tej e më shumë qytetarëve në të dy republikat dhe kombit tonë mbarë”


Shtuar 16.02.2026 17:05