“BLINDOHET” KRYEQYTETI/ Sot derbi Partizani-Tirana, policia publikon masat e sigurisë

Policia e Shtetit njoftoi se ka marrë masat për garantimin e rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe pas ndeshjes së futbollit mes Partizani Tirana dhe KF Tirana, e cila do të zhvillohet sot në orën 16:30 në stadiumin Arena Kombëtare.

Sipas policisë, nga ora 14:00 deri në përfundim të aktivitetit do të bllokohen segmentet: Sheshi Nënë Tereza, rruga “Lekë Dukagjini”, rruga “Dervish Hima” dhe zonat përreth stadiumit.

Uniformat blu kanë përcaktuar edhe itineraret e lëvizjes së tifozëve. Tifozët e Partizanit do të lëvizin nga zona e Inxhinierisë në rrugën “21 Dhjetori”, drejt “Librit Universitar”, anash Presidencës dhe në rrugën “Gjergj Filipi” për në tribunën përkatëse. Ndërsa tifozët e KF Tiranës do të nisen nga Sheshi Skënderbej, përmes ish-hotel “Dajti”, Ura e Dajtit, ETC, rruga e Elbasanit dhe “Dervish Hima”, drejt hyrjeve të përcaktuara të stadiumit.

Policia bëri të ditur se do të shoqërojë tifozët përgjatë itinerareve dhe nuk do të lejojë grumbullime apo lëvizje jashtë tyre.

Në hyrje të stadiumit do të ushtrohen kontrolle të detajuara për sende të kundërligjshme, ndërsa çdo tifoz duhet të jetë i pajisur me dokument identifikimi. Fëmijët nën 16 vjeç nuk do të lejohen pa praninë e prindit ose kujdestarit ligjor, ndërsa personat e identifikuar më parë si problematikë në aktivitete sportive nuk do të lejohen të hyjnë.

Nga zgjedhja e Presidentit & anëtarëve të KE së FSHF, te shqyrtimi e miratimi i raporteve. Nesër mbahet Asambleja e Përgjithshme Zgjedhore
Policia e Tiranës kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për shmangien e lëvizjes me automjete në zonat e bllokuara gjatë orareve të përcaktuara.


Shtuar 15.02.2026 15:23