Fruthi po rrezikon realisht fëmijët në Tiranë. Ndonëse Instituti i Shëndetit Publik nuk e deklaron, por në një kopsht jo publik ka pasur shpërthim të fruthit.
Fëmijë të pavaksinuar janë infektuar me fruth, duke e transmetuar tek njëri-tjetri.
Prindërit që kanë fëmijë në atë kopsht janë njoftuar nga edukatoret e kopshtit, që të mbajnë fëmijët në shtëpi, për të shmangur infektimin.
Bëhet me dije se fruthi është shfaqur tek fëmijë të pavaksinuar, të cilët, edhe pse është detyrim ligjor që asnjë fëmijë i cili nuk ka përmbushur kalendarin e detyrueshëm të vaksinimit të mos pranohet në këto institucione, gjithmonë gjenden çerdhe, kopshte dhe shkolla jo publike që e shkelin këtë detyrim, duke u bërë burim i transmetimit të sëmundjeve infektive, siç është fruthi, i cili konsiderohet vdekjeprurës.
Kjo vatër e shpërthimit të fruthit tashmë është izoluar.
Mësohet se aktualisht, janë të infektuar me fruth 15 raste.
Por, në një kohë kur autoritetet shëndetësore deklarojnë se vaksinimi ndaj fruthit, vaksina MMR që bëhet në moshën 1-vjeç, ka rënë për shkak të skepticizmit të prindërve dhe grupeve “novax” që nxisin mosvaksinimin, fruthi mbetet një rrezik që kërcënon shëndetin e të vegjëlve.
Mbulesa vaksinale ka rënë në afro 83% me dozën e parë, ndërkohë që OBSH kërkon që vaksinimi kundër fruthit duhet të jetë 95%. Raste sporadike me fruth ka në disa vende të Europës.
