Albin Kurti zgjidhet për herë të tretë Kryeministër i Kosovës, betohet në Kuvend: Do respektoj Kushtetutën dhe ligjin

Albin Kurti është zgjedhur Kryeministër i Kosovës për herë të tretë radhazi. Qeveria e re, me Kurtin në krye, mori 66 vota pro, 49 kundër dhe asnjë abstenim.

Ky është mandati i tretë qeverisës i Kurtit, ndërsa vendi vjen pas një periudhe njëvjeçare bllokade.

Në seancën e parë të kësaj dite, pas një procesi të gjatë që pasoi seancën e kaluar, u zgjodh edhe Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, mori 66 vota.

Po ashtu, u zgjodhën edhe pesë nënkryetarët e Kuvendit, të propozuar nga partitë politike.

Pas zgjedhjes, Albin Kurti është betuar si kryeministër i ri i Kosovës. Gjatë fjalës së tij në Kuvend, ai premtoi se do ta zbatojë ligjin, do ta respektojë Kushtetutën dhe do të punojë me përkushtim për përparimin e vendit.

“Më lejoni t’ju falënderoj për mbështetjen e dhënë. Betohem se do ta kryej me përkushtim dhe nder detyrën e anëtarit të Qeverisë, do të respektojë Kushtetutën, ligjet dhe rendin juridik dhe do të angazhohem për përparimin e përgjithshëm të Republikës së Kosovës”, tha Kurti në Kuvend.

Po ashtu, edhe ministrat e qeverisë së re të Kosovës janë betuar, duke nënshkruar te një deklaratë.


Shtuar 11.02.2026 23:02