Apeli i GJKKO e dënoi me një vit burg, reagon nga qelia ish-kryebashkiaku i Rrogozhinës: Kryetarllëku ikën e vjen, Edisoni juaj është i burgosur, por…

Ish-kryebashkiaku i Rrogozhinës Edison Memolla, ka reaguar pasi u vetëdorëzua në polici e më pas u dërgua ditën e djeshme në burgun e Rrogozhinës, për të vuajtur dënimin me një vit burg për korrupsion aktiv në zgjedhje, në bashkëpunim, dhënë nga Gjykata e Posaçme më 24 janar të vitit 2025.

Ai shkruan se burgosja e tij është një veprim i padrejtë e politik dhe se do përdorë çdo mundësi, për të fituar të drejtën e tij në Strasburg.

“Kushtet në të cilat flas nuk janë absolutisht ato që prisja nga vetja ime dhe nga drejtësia për të cilën kam luftuar fort, por mesa duket tentakulat e gjyqtarëve kundërshtarë politik, shtrihen më gjerë sesa besimi dhe forca që ka drejtësia e re, ama lufta ime nuk mbaron këtu, do përdor çdo mundësi ta fitoj të drejtën time deri në Stasburg”, ka shkuar ai.

“Kryetarllëku ikën e vjen po dashtë zoti jeta do të jetë shumë më e gjatë sesa kaq”, shkruan ai, ndërsa shton se sulmet personale, politike madje edhe familjare kanë qenë të njëpasnjëshme që në momentin që mori detyrën e kryetarit të bashkisë Rrogozhinë.

Në fund ai ka dhënë edhe një mesazh për mbështetësit e tij: “Vazhdoni të besoni dhe të luftoni për idealet tuaja, pavarësisht pengesave që do dalin para”.

Ndërsa për familjen e tij ai u bën thirrje të rrinë me kokën lart, pasi ai është i burgosur, por nuk është kriminel.

“Edisoni juaj është i burgosur por nuk është kriminel, Edi juaj as nuk ka vrarë, as nuk ka prerë dhe as nuk ka vjedhur, ju s’keni gabuar askund ndaj mos u mërzisni, është thjeshtë një sfidë tjetër të cilën do ta kalojmë të gjithë bashkë me miq e shokë zemre pranë”, shkruan ish-kryebashkiaku.

Reagimi i Memollës:

Miqtë e mi, t’ju flas tashmë në cilësinë e një ish kryetari është normale por në cilësinë e një të burgosuri politik me apo pa të drejtë sigurisht që është e rëndë.

Së pari, falenderoj me zemër çdo mik/e, shok/shoqe, koleg/e, mbështetës/e, qytetar/e dhe familjarë për mbështetjen e pakufijshme që më keni dhënë nga dhjetori i vitit 2020 e deri më sot, bashkë kaluam sfida përtej asaj çfarë mendonim se ishim të aftë të përballonim por sot fjalët për të përmendur arritjet tona mendoj që janë të tepërta pasi kush ka pasur sadopak besim dhe dëshirën e mirë, ka parë transformimin dhe ‘luftën’ e pastër që të gjithë bashkë kemi bërë krah për krah për të bërë më të mirën për qytetin tonë.

Së dyti, kushtet në të cilat flas nuk janë absolutisht ato që prisja nga vetja ime dhe nga drejtësia për të cilën kam luftuar fort, por mesa duket tentakulat e gjyqtarëve kundërshtarë politik, shtrihen më gjerë sesa besimi dhe forca që ka drejtësia e re, ama lufta ime nuk mbaron këtu, do përdor çdo mundësi ta fitoj të drejtën time deri në Stasburg.

Së treti, fjala merr dhenë më shpejt se era dhe përveçse flitet se këtë situatë e kam “peshqesh” nga kundërshtarë politik, nuk më pëlqen aspak ideja që diskutimi zgjerohet duke thënë që “peshqeshi” vjen nga rradhët e partisë socialiste qoftë brenda qytetit apo më lart.

Miqtë e mi, me Partinë Socialiste dhe kryeministrin Edi Rama në krye, në Rrogozhinë, kemi fituar pesë palë zgjedhje, qytetarët na besuan plot pesë herë për aq kohë sa kam qenë drejtues apo kandidat, nëse do kishte sulme personale, askush s’do më kishte lejuar të ushtroja këtë “pushtet” me të gjithë ju përkrah nëse punët do ishin ndryshe nga çfarë janë, unë jam socialist dhe i tillë do mbetem dhe ju duhet të siguroheni që me ose pa mua të qëndroni të bashkuar, mos lejoni as kundërshtarët politik dhe as njëri tjetrin që t’ju distancojë nga qëllimi final, këto s’janë vetëm fjalët e një të burgosuri por janë fjalët e dikujt që njeh çdo rrënjë, degë apo gjethe të familjes së madhe socialiste.

Së katërti, sulmet personale, politike madje edhe familjare kanë qenë të njëpasnjëshme që në momentin që kam futur këmbët në zyrën e kryetarit të bashkisë Rrogozhinë dhe kam pasur bindjen që janë normale por të sulmohem dhe të burgosem sa kam ndihmuar dikë në nevojë, e kam shprehur dhe do ta them sërish…sa herë të kem mundësi t’i qëndroj pranë dikujt në vend që ta “gjunjëzoj” përballë vështirësive të jetës, çdo herë do kisha bërë të njëjtën sjellje për ta ndihmuar, qoftë kjo për energjinë elektrike apo nevoja të tjera jetësore. Kryetarllëku ikën e vjen po dashtë zoti jeta do të jetë shumë më e gjatë sesa kaq.

Së pesti, do ketë plot që do mërziten sikundër do jenë të shumtë dhe ata që janë gëzuar për gjendjen ku ndodhem, kam dy fjalë edhe për këtë…ndoshta do quhem i korruptuar, ndoshta hajdut, ndoshta i pabesë, ndoshta zaptues i asaj karrigeje, ndoshta do përflitem që mora apo lash stafetë kur ndërkoh aty vendoset ai që populli dhe drejtuesit mendojnë të aftë, ndoshta quhem si dikush që i ka rënë dikujt kot në qafë, mund të hidhet vrer mbi mua apo dhe ndaj familjes time, këto janë fjalë që do thuhen qofsha un më i miri apo më i keqi drejtues që ka qenë në krye të atij institucioni por dëshira e mirë dhe të kem dinjitetin tim të paprekur kanë qenë gjithnjë udhëheqësit e mi kryesor.

Së fundmi, qyetarëve i uroj përzemërsisht të kenë shëndet, mbarësi dhe dashuri në familjet e tyre.

Mbështetësve i them besojnë fort që më e mira është përpara, fati bëri një lojë tjetër me mua dhe vendosi që të vuaj dënimin në një institucion për të cilin u bë “molla e sherrit” në “kulmin” e karrierës sime por siç kuptuam edhe atëherë, fundi mund të jetë afër por shpresa për më mirë nuk ka asnjëherë fund. Vazhdoni të besoni dhe të luftoni për idealet tuaja, pavarësisht pengesave që do dalin para.

Dhe e fundit edhe më e rëndësishme, i them familjes dhe të afërmve të mi që të rrijnë me kokën lart, Edisoni juaj është i burgosur por nuk është kriminel, Edi juaj as nuk ka vrarë, as nuk ka prerë dhe as nuk ka vjedhur, ju s’keni gabuar askund ndaj mos u mërzisni, është thjeshtë një sfidë tjetër të cilën do ta kalojmë të gjithë bashkë me miq e shokë zemre pranë.

Për të gjithë…nuk është një lamtumirë por vetëm një mirupafshim për një kohë të caktuar, zoti ju bekoftë!

Me respekt, Edison Memolla!

Përgjimi:

Ka qenë një përgjim i një bisede telefonike që ka fundosur kryebashkiakun e Rrogozhinës, i cili paguante faturat e energjisë elektrike të qytetarëve në këmbim të votave.

Biseda telefonike:

Kryetari: Alo!

Zonja: Alo!

Kryetari: Përshëndetje

Zonja: Përshëndetje

Kryetari: Si jeni?

Zonja: Mirë, po ti?

Kryetari: Më fal se nuk më del numri

Zonja: E di që nuk del numri nuk e ke numrin tim ti, prandaj nuk të del

Kryetari: Po më thuaj!

Zonja: Unë jam goca e ….

Kryetari: Çfarë halli kishe

Zonja: Të thashë unë ty atë ditë për dritat, se më kanë ardhur për të më prerë dritat

Kryetari: Eee? ti prenë?! I thashë unë atij çunit

Zonja: Jo, ai çuni është aty përjashta Unë skam mundësi të paguaj

Kryetari: Po a është aty ai çuni? Foli të dali njëherë në telefon

Zonja: O Land, ku iku ai çuni?! Na çoje një çikë telefonin, ti foli atij xhaxhi kryetari. Prit një sekondë se ka shkuar atje te shtylla (zonja shkon çon telefonin tek elektricisti).

Një djalë: O xhaxhi, na foli pak xhaxhi kryetarit

Elektricisti: Kujt kryetar?

Djali: Të Rrogozhinës, po kush

Elektricisti: Alo.

Kryetari: Alo.

Elektricisti: Urdhëro?

Kryetari: Çfarë bën, qysh je? Edi jam

Elektricisti: Oo Rimi jam

Kryetari: O Rim, ça bën o, a do ia prisni, po lene të kalojë këtë muaj o burrë

Elektricisti: Po e kaloj këtë muajin, po muajin tjetër?!

Kryetari: Po muajin tjetër, shohim e bëjmë. Shif t’i matrim ato, ça kemi me i marrë, se jemi në zgjedhje

Elektricisti Rimi: E di, e di, po ça të bëjmë ne?

Kryetari: Po hajde se ia jap unë një muaj, sa lek ka?

Elektricist Rimi: Po ajo ka pesë muaj, sikur ka një muaj ajo.

Kryetari: Po paguaj një unë, pastaj të tjerat sa t`ia shtysh në qoftë se ke ndonjë problem aty.

Elektricisti Rimi: Problem e kemi ne se na kanë heqë nga dy javë të punës.

Kryetari: Pse, pse s`keni pre eee?

Elektricisti Rimi: Po.

Kryetari: Hajde se do diskutojmë një çikë me Edin, lëre sot, se do flas çik me Edin unë.

Elektricisti Rimi: Mirë.

Kryetari: Apo e ke raportuar ti?

Elektricisti Rimi: Për sot e kam lënë vetë unë e nja dy-tre ditë.

Kryetari: E mirë, të flas me Edin unë, të flasi me ato të mëdhenjtë që të mos ju bezdisin.

Elektricisti Rimi: Mirë po iki.

Kryetari: Hajde.


Shtuar 11.02.2026 11:55