Pallati Buckingham ka bërë të ditur se është i gatshëm të ndihmojë policinë britanike, nëse kjo e fundit e kërkon, për të hetuar lidhjet e ish-princit Andrew me financierin amerikan Jeffrey Epstein, i dënuar për krime seksuale.
Sipas një deklarate zyrtare, mbreti Charles është “thellësisht i shqetësuar” nga akuzat që vazhdojnë të dalin në lidhje me sjelljen e vëllait të tij më të vogël. Pallati thekson se i takon vetë Andrew Mountbatten-Windsor të përgjigjet për akuzat konkrete, por shton se familja mbretërore do të bashkëpunojë me policinë nëse kërkohet zyrtarisht.
Ndërkohë, policia britanike ka konfirmuar se po shqyrton informacione sipas të cilave, në vitin 2010, Andrew – në atë kohë i dërguar i posaçëm për tregtinë – dyshohet se i ka dhënë Epstein-it dokumente konfidenciale. Po ashtu, raportohet se Epstein kishte dërguar një grua në rezidencën e Andrew-t.
Andrew, vëllai i mbretit Charles, përdor tashmë mbiemrin Mountbatten-Windsor, pasi në fund të vitit të kaluar iu hoq titulli i princit, pas zbulimeve mbi marrëdhëniet e tij me Jeffrey Epstein.
