SPAK kërkon arrestimin e Ballukut/ Kushtetuesja e rrëzoi, Rama nuk ndalet: Do të ndërhyjmë në legjislacion, asnjë urgjencë për imunitetin

Kryeministri i vendit Edi Rama, ka zhvilluar një mbledhjen me Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese që rivendosi pezullimin e ministres Belinda Balluku, duke paralajmëruar se socialistët do ta zgjidh çështjen përmes ndërhyrjes në legjislacion.

“Nisur edhe nga leximi i deklaratës publike të Gjykatës Kushtetuese, ku të gjithë anëtarët e trupës shfaqen unanimë lidhur me problemin, po ndahen tek rrugëzgjidhja, grupi parlamentar socialist do të angazhohet për zgjidhjen përmes ndërhyrjes në legjislacion”, shkruan Rama.

Sipas kryeministrit, funksionet e padelegueshme kushtetuese nuk mund të pezullohen nga askush, duke u nisur nga një emër përveçëm, pasi kjo sipas tij, do të paralizonte institucionin që ata drejtojnë.

REAGIMI:

Tre konkluzione nga mbledhja e Grupit Parlamentar pas mosvendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe rivendosjes së pezullimit të ministres nga :

1. Funksionet e padelegueshme kushtetuese, nga ai i anëtarit të qeverisë tek ai i Presidentit të Republikës dhe jo vetëm, nuk mund të pezullohen kurrësesi nga askush duke u nisur nga një emër përveçëm, sepse pezullimi paralizon funksionin, pra institucionin që ai/ajo drejton.

2. Nisur edhe nga leximi i deklaratës publike të Gjykatës Kushtetuese, ku të gjithë anëtarët e trupës shfaqen unanimë lidhur me problemin, po ndahen tek rrugëzgjidhja, grupi parlamentar socialist do të angazhohet për zgjidhjen përmes ndërhyrjes në legjislacion.

3. E vetmja palë e përmbushur nga rikthimi i pezullimit është SPAK-u, që në kushtet e pezullimit mund të vazhdojë krejt qetësisht hetimin përkatës, ndërkohë që deri në adresimin ligjor të zgjidhjes nuk ka asnjë urgjencë për të trajtuar kërkesën që SPAK-u bëri pas rënies së masës së pezullimit.

Një shtesë nga ana ime:

SPAK-u nuk preket, vetëm mbështetet. Liria dhe e drejta e çdo prokurori për të hetuar çfarëdoqoftë e këdoqoftë nuk preken, vetëm garantohen. Pavarësia kushtetuese e pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv, gjithashtu nuk preken. Vetëm garantohen.


Shtuar 9.02.2026 11:59