IGJEUM, ‘na përgatit’: Fundjava me reshje, rrezik për vërshime uji në zonat urbane

Instituti i Gjeoshkencës ka ndarë një parashikim mbi situatën meteorologjike të kësaj fundjave. Sipas të dhënave të motit, e shtuna dhe e diela do të shoqërohen nga reshje shiu në pjesën më të madhe të qarqeve në vend, teksa nuk do të mungojnë as reshjet e dëborës në zonat malore.

Po ashtu, paralajmërohet se nga reshjet mund të krijohen problematika të ndryshme, si rënie gurësh e inertesh dhe vërshime të ujit në zonat urbane.

Sot pasdite (e shtunë, datë 7) dhe nesër (e diel, datë 8) priten reshje mesatare deri lokalisht intensive në qarqet Dibër, Lezhë, Tiranë dhe Durrës, ndërsa në qarqet Shkodër, Elbasan dhe Fier priten reshje mesatare.

Në qarqet e tjera priten reshje të dobëta deri lokalisht mesatare. Reshjet priten të shoqërohen me shtrëngata (siç tregohet në tabelë, respektivisht për secilin qark). Në zonat malore në lartësitë mbi 1100 m nga niveli i detit reshjet do të jenë në formë dëbore.

Shtrëngatat dhe intensiteti i lartë i reshjeve, mund të krijojnë probleme të ndryshme, si rënie gurësh e inertesh dhe vërshime të ujit në zonat urbane të lokalizuara, në varësi të sistemit të kanalizimeve në qarqet Dibër, Lezhë dhe Durrës.

Nesër temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë:

në bregdet: 10 / 15 °C

në vendet e ulëta: 8 / 15 °C

në vendet malore: 2 / 11 °C

Sot pasdite era pritet të fryjë mesatare deri e fortë në zonat malore. Nesër era pritet të fryjë e lehtë deri mesatare.


Shtuar 7.02.2026 18:46

Tags: ,