Vijon protesta e banorëve kundër ndërtimit të resortit turistik në Baks-Rrjoll

Banorët e fshatit Rrjoll të Velipojës bllokuan sot punimet për ndërtimin e një resorti turistik në Baks-Rrjoll.

Prej pesë ditësh banorët po protestojnë për ndërtimin e resortit, duke pretenduar se tokat ku po realizohet investimi janë pronë e tyre dhe se po cenohen pa një proces të rregullt ligjor.

Ndërkohë që një proces gjyqësor për pronësinë e truallit është ende në shqyrtim në Gjykatën e Apelit në Tiranë.

Banorët shprehen se e kanë me letra tokën dhe nuk do ta lejojnë të ndërtohet resorti në këtë zonë.

Ditën e djeshme banorët protestuan para Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ku bënë thirrje për drejtësi, duke theksuar se SPAK është i vetmi institucion në të cilin kanë besim se do ta zgjidhë këtë çështje. Ndërsa në ditët e mëparshme banorët kanë bllokuar edhe aksin rrugor Velipojë–Shëngjin.

Projekti parashikon ndërtimin e një kompleksi turistik me një sipërfaqe rreth 146 hektarë në zonën e Rrjollit (Shkodër), i cili konsiderohet si një nga investimet më të mëdha turistike në vend.


Shtuar 6.02.2026 19:49