Transferimi i Karim Benzemas nga Al Itihad te Al Hilal, vazhdon të jetë një temë e nxehtë në Arabinë Saudite. Francezi është kritikuar nga një legjendë e klubit të Al Itihad, Mohamed Nor.
I ftuar në një emision televiziv, ish-mesfushori e kritikoi ashpër duke e akuzuar atë se e kishte braktisur ekipin në momentin e tij më të vështirë.
“Kur Benzema erdhi në Al Itihad, ai nuk ofroi asgjë në sezonin e parë, pastaj gjërat ndryshuan në sezonin pasardhës, falë tifozëve që e ndihmuan, qëndruan me të, brohoritën emrin e tij dhe e inkurajuan. Benzema humbi shumë penallti sezonin e kaluar, por tifozët qëndruan me të, e mbështetën dhe e inkurajuan derisa ekipi fitoi titujt e ligës dhe kupës.
A është e drejtë që ai të vijë këtë sezon dhe të thotë se nuk dëshiron të luajë me këtë ekip? Me gjithë respektin për të, ai nuk është asgjë në krahasim me Kristiano Ronaldon, dhe nuk ia vlen të përmendet. Nëse Benzema nuk donte ta përfundonte kontratën e tij me ekipin, klubi duhet të kishte përfituar nga shuma e largimit të tij, të paktën klubi duhet të kishte marrë pjesën e mbetur të vlerës së kontratës së lojtarit”, deklaroi ai.
