Një ngjarje e rëndë ka tronditur Indinë, ku tre motra të mitura, të moshës 12, 14 dhe 16-vjeç, kanë humbur jetën pasi u hodhën nga kati i nëntë i pallatit ku banonin.
Tragjedia dyshohet se ndodhi pasi babai i tyre u kishte ndaluar përdorimin e telefonit celular dhe lojën e një të ashtuquajture “lojë dashurie” koreane.
Sipas mediave indiane, viktimat janë identifikuar si Vishikha (16-vjeç), Prachi (14-vjeç) dhe Patsi (12- vjeç).
Ato lanë pas një shënim vetëvrasjeje prej tetë faqesh, në të cilin shprehnin lidhjen e tyre të fortë me kulturën koreane.
Në shënim thuhej: “Babi, më vjen keq. Koreja është jeta jonë, Koreja është dashuria jonë më e madhe. Pavarësisht se çfarë thua, ne nuk mund të heqim dorë. Kjo është arsyeja pse po kryejmë vetëvrasje”.
Shënimi përfundonte me fjalët: “U përpoqët të na distanconit nga koreanët, por tani e dini sa shumë i duam”.
Babai i vajzave, i tronditur nga ngjarja, deklaroi se nuk kishte qenë në dijeni të lojës që ato po luanin.
“Kjo nuk duhet t’i ndodhë asnjë prindi apo fëmije. Nuk e dija për lojën, përndryshe nuk do t’i kisha lejuar kurrë ta përdornin”, tha ai për mediat.
Megjithatë, raportime të fundit sugjerojnë se rrethanat e ngjarjes mund të jenë më komplekse. Sipas policisë, dy nga motrat mund të kenë tentuar ta ndalonin të tretën nga ndërmarrja e aktit fatal, ç`ka ngre dyshime se rënia mund të ketë ndodhur gjatë një përpjekjeje për ta parandaluar atë.
Babai i përshkroi vajzat si të varura në mënyrë ekstreme nga gjithçka që lidhej me Korenë, përfshirë filmat, muzikën dhe serialet televizive.
Ai tha se kjo varësi kishte filluar gjatë pandemisë COVID-19, ndërsa mediat lokale raportojnë se vajzat nuk ishin kthyer më në shkollë që nga ajo periudhë.
Një zëdhënës i policisë bëri të ditur se ditët e fundit vajzave, u ishte ndaluar përdorimi i telefonave celularë, një vendim që, sipas tij, duket se i ka ndikuar ndjeshëm emocionalisht.
Sipas Daily Mail, në murin e dhomës së tyre ishin shkruar fraza si; “Jam shumë, shumë e vetmuar”, duke sugjeruar gjendje të rënduar psikologjike. Ngjarja tragjike ndodhi pak pas orës 02:00 të mëngjesit të së mërkurës.
Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rastit dhe ende nuk ka identifikuar lojën specifike që dyshohet se ka ndikuar në reagimin ekstrem të vajzave.
