Programi i Praktikave të Punës/ Rama: Rreth 1600 persona janë punësuar në administratë përmes kësaj nisme

Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në eventin e Agjencisë Kombëtare të Rinisë për rezultatet e arritura në përmbyllje të Thirrjes së 10-të të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës për studentët e ekselencës.

Kryeministri tha se është besimplotë për këtë nismë, që sipas tij, deri më tani ka punësuar në mënyrë përfundimtare rreth 1600 persona. Sipas tij, këto persona kanë potencialin që në vijim të drejtojnë institucione të rëndësishme të vendit.

“Ky program ka punësuar në mënyrë përfundimtare rreth 1600 persona. Po të kesh parasysh se administrata publike është një trupë jo shumë e madhe, këto numra nuk janë pak. Por ajo që i bën këto numra më të rëndësishëm akoma është se janë 1600 burime njerëzore që kanë potencialin të jenë nesër drejtuesit e sektorëve, departamenteve e drejtorive.”, u shpreh Rama.

Po ashtu ai foli edhe për një projekt në bashkëpunim me Komisionin Evropain, atë të garancisë rinore. Rama tha se përmes këtij projekti, 65 milionë euro do të jenë në dispozicion të kësaj nisme, që ka për qëllim të identifikojë dhe aktivizojë të rinjtë që kanë portencial dhe t’u ofrojnë mbështetje ekonomike, në trajnime si edhe në aftësim profesional për ta.

“Ka si synim të identifikojë dhe aktivizojë të rinjtë që kanë potencial, por që nuk janë aktivë në kërkimin e rrugës së nxjerrjes së më të mirës nga vetja. Të ofrojë mbështetje ekonomike, trajnime dhe aftësim profesional për të rinjtë. Të sigurojë mundësi konkrete punësimi, vazhdimin e arsimit të formimit profesional dhe të fuqizojë pjesëmarrjen e të rinjve në jetën sociale dhe ekonomike të komunitetit. Do ju sugjeroja që të njiheni me këtë projekt, është rreth 65 mln euro dhe të shikoni se si mund të angazhoheni.”, shtoi Rama.

Pjesë nga fjala e kryeministrit Rama:

Dua t’i uroj sukses atyre që kanë fituar mundësinë për të pasur një kontratë 1 vjeçare pune dhe synojnë që të përfshihen përfundimisht në administratën publike, ndërkohë që të tjerëve që nuk e kanë fituar, nuk duhet të ligështohen, humbasin besimin apo të dorëzohen. Ministri tha se ky është një proces, i cili kalon përmes meritës, por padashur të them që gjithçka në këtë proces shkon fjollë, se me siguri si çdo proces tjetër, ka edhe ky defektet e veta, keni parasysh se edhe vlerësimi i meritës përderisa jemi në rastin kur bëhet në vlerësim prapë janë njerëzit që vlerësojnë ka edhe anën e vet subjektive.

Kështu që pa vënë në dyshim ata që kanë mundësinë për një kontratë 1 vjeçare, e meritojnë këtë mundësi. Ata që s’e kanë fituar, të mos ndihen të përjashtuar dhe të mos mendojnë se janë më pak të zotë. Thjesht në një moment të caktuar nuk kanë mundur të jenë dukshëm më të mirë sesa të tjerë që ia kanë dalë. Duke marrë një jehonë pozitive nga ata që merren me organizimin e këtij programi, duke pasur një përshtypje pozitive nga ana e ministrave dhe drejtuesve të institucioneve për qasjen, seriozitetin dhe dëshirën tuaj për të mësuar, unë jam bërë besimtar i fortë i këtij programi. Ky program ka punësuar në mënyrë përfundimtare rreth 1600 persona. Po të kesh parasysh se administrata publike është një trupë jo shumë e madhe, këto numra nuk janë pak. Por ajo që i bën këto numra më të rëndësishëm akoma është se janë 1600 burime njerëzore që kanë potencialin të jenë nesër drejtuesit e sektorëve, departamenteve e drejtorive. Kjo praktikë ka qenë si fillim urë e ngritur me universitetin. Tani kemi kapërcyer edhe një ngërç, atë të eksperiencës, që faktikisht i ka penguar në të shkuarën shumë vajza e djem që të fitojnë konkurset e shërbimit civil. Ishte pak si pula vezën, veza pulën se të hyje në administratën publike duhet të kishe eksperiencë dhe në një farë mënyre programi e ka garantuar këtë tranzicion.

Në fund dua t’ju flas për një projektet të mëdha të qeverisë me KE, projekti i garancisë rinore. Ka si synim të identifikojë dhe aktivizojë të rinjtë që kanë potencial, por që nuk janë aktivë në kërkimin e rrugës së nxjerrjes së më të mirës nga vetja. Të ofrojë mbështetje ekonomike, trajnime dhe aftësim profesional për të rinjtë. Të sigurojë mundësi konkrete punësimi, vazhdimin e arsimit të formimit profesional dhe të fuqizojë pjesëmarrjen e të rinjve në jetën sociale dhe ekonomike të komunitetit. Do ju sugjeroja që të njiheni me këtë projekt, është rreth 65 mln euro dhe të shikoni se si mund të angazhoheni.


Shtuar 4.02.2026 12:34