Kishte takim me të dënuarin, shtetasit i zbulohet lëndë narkotike e fshehur në pjesët intime

Një sasi droge u sekuestrua dhe një person u arrestua nga efektivët e Burgut të Fierit, teksa po tentohej të futej brenda ambienteve, e destinuar për një nga të dënuarit.

Sasia e dyshuar e lëndës narkotike, është konstatuar gjatë një kontrolli fizik në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Fier.

Sipas njoftimit zyrtar, gjatë ushtrimit të kontrollit trupor në ambientet e dhomës së kontrollit, shtetasit S. P. iu gjet një sasi e dyshuar si lëndë narkotike, e fshehur poshtë pjesëve intime.

Njoftimi:

“Nga verifikimet e kryera rezultoi se shtetasi S. P. ishte paraqitur për të zhvilluar një takim me të dënuarin e sigurisë së zakonshme A. M., i akomoduar në dhomën nr. 10, sektori 5, godina C. Në vijim të veprimeve procedurale, shtetasi S. P. u ndalua, u hartua dokumentacioni përkatës dhe u njoftua Prokuroria, si dhe Specialisti i SHKBB-së, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme ligjore”, thuhet në njoftim, raporton A2CNN.

Vijon kontrolli i plotë për sende të ndaluara, në kuadër të masave të sigurisë dhe verifikimeve procedurale.


Shtuar 3.02.2026 14:54

Tags: , ,