Nuk pranoi të kontrollohej dhe tentoi të largohej me makinë duke rrezikuar jetën e policëve, arrestohet 42-vjeçari në Dibër

Një 42-vjeçar,  është arrestuar në Pikën e Kalimit Kufitar Bllatë, pasi nuk iu bind urdhrit të policisë për kontroll të imtësishëm dhe tentoi të largohej me automjet, duke rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë.

Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja ka ndodhur më 2 shkurt 2026, rreth orës 17:20, në dalje të Republikës së Shqipërisë. Shtetasi G. K., banues në Republikën e Maqedonisë së Veriut, u paraqit me automjetin e tij për të dalë nga vendi, ndërsa gjatë procesit të regjistrimit iu kërkua të kalonte, së bashku me mjetin, në vijën e dytë për kontroll të detajuar.

42-vjeçari ka kundërshtuar urdhrin e punonjësve të Policisë dhe ka tentuar të largohej me shpejtësi, duke vënë në rrezik jetën e tyre. Pas ndërhyrjes së shërbimeve policore, ai u ndalua dhe u arrestua në flagrancë.

Ndaj tij rëndojnë akuzat për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik” dhe “Kalimi i paligjshëm i kufirit”. Gjithashtu, u sekuestrua automjeti me të cilin lëvizte.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.


Shtuar 3.02.2026 13:19