Është arrestuar ditën e sotme në Turqi, shqiptari Bledar Doçi, vëllai i Elvis Doçit, i njohur ndryshe si “Visi i Pojës”, emër i shumëpërfolur në botën e krimit.
Mësohet se Bledar Doçi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane për trafikim të lëndëve narkotike.
Vëllai i “Visit të Pojës” ishte në kërkim që prej nëntorit të vitit të shkuar, në sajë të një operacioni antidrogë që u zhvillua nga autoritetet fqinje, nga i cili u godit sërish grupi kriminal që dyshohet se kryesohej nga vëllai i tij, Bledar Doçi.
Gjykata e Breshias ka lëshuar gjithsej 24 masa sigure për grupin i cili akuzohet për trasnportimin e 1.3 tonë kokaine, veprimtari kriminale e kryer brenda një periudhe kohore 5-vjeçare, më konkretisht 202-2025.
Visi i Pojës rezulton i përfshirë në trafikun e 8 kilogramëve kokainë në Itali, ngarkesë e trafikuar për llogari të grupit të lidhur me Adi Çobën, ky i fundit një prej drejtuesve të grupit kriminal.
Elvis Doçi, apo i njohur me nofkën “Visi i Pojës” është një personazh me “emër” për drejtësinë shqiptare. Një vit më parë në banesën e këtij shtetasi u zhvilluan kontrolle ndërkohë që SPAK lëshoi dhe një urdhër-arrest.
Në kuadër të këtij operacioni asokohe blutë sekuestruan në cilësinë e provës materiale rreth 3 milionë euro cash vetëm në banesën e Elvis Doçit.
Sakaq, emri i “Visit të Pojës” është përmendur jo pak herë dhe në seancat gjyqësore në të cilat ka dëshmuar i penduari i drejtësisë, Altin Dumani.
Dumani ka identifikuar Elvis Doci, i njohur në botën e krimit si “Visi i Pojës”, si një nga figurat më të rëndësishme të trafikut të heroinës dhe më vonë të kokainës në Shqipëri dhe më gjerë. Ai e përshkruan Docin si “negociator shumë të aftë”, i lidhur ngushtë me klanin Troplini, konkretisht me Xhevdet Troplinin, një emër me peshë në Durrës.
