Autoriteti Kombëtar i Ushqimit deklaroi se qumështi që rezulton me përmbajtje aflatoksine M1, mbi kufirin i përcaktuar në legjislacionin e Bashkimit Europian, konsiderohet i pasigurt. Në njoftimin zyrtar, AKU shprehet se, refuzimi i saj nga subjektet përpunuese përbën jo vetëm të drejtë, por edhe detyrim ligjor, në funksion të mbrojtjes së shëndetit të konsumatorit.
Vetëm disa ditë më parë, përmbajtja e aflatoksinës tek qumështi i disa fermave, në zonën e Lushnjës, ka rikthyer në vëmendje çështjen e sigurisë ushqimore. Pas kësaj, subjekte të mëdha morën vendimin për ta ndaluar menjëherë grumbullimin dhe përpunimin e kësaj mase qumështi, e cila përbën rrezik për shëndetin e konsumatorit. Ndërkohë, industria e përpunimit të qumështit është e detyruar të kryejë kontrolle rigoroze për antibiotikët dhe nivelin e qelizave somatike, indikatorë kyç të cilësisë dhe sigurisë së produktit.
“Në bazë të nenit 10 të Ligjit Nr. 9863, datë 28.01.2008 “Për Ushqimin”, i ndryshuar, ushqimi konsiderohet i pasigurt kur është i dëmshëm për shendetin e njeriut dhe, si i tillë, nuk lejohet të nxirret në treg apo të përdoret për përpunim. Neni 24 i po këtij ligji parashikon detyrimin e operatorit të biznesit ushqimor që, në rast se konstaton se një ushqim ose lëndë e parë nuk është në përputhje me kërkesat e sigurisë ushqimore, të ndërmarrë menjëherë masat për refuzimin, bllokimin dhe njoftimin e autoritetit kompetent. AKU vlerëson angazhimin e industrisë së përpunimit të qumeshtit për zbatimin e standardeve të sigurisë ushqimore”, thuhet në njoftimin e AKU-së.


