Dekriminalizimi i shpifjes dhe ashpërsim i masave për parkimin dysh/ Miratohen ndryshimet në Kodin Penal, projektligjet e tjera që morën dritën jeshile në Kuvend

Në orët e para të mëngjesit, Kuvendi i Shqipërisë miratoi paketën e ndryshimeve në Kodin Penal, si dhe një sërë projektligjesh të rëndësishme.

Ndryshimet në Kodin Penal, u miratuan me 85 vota pro nga mazhoranca dhe parashikojnë edhe gjobë dhe deri 1 vit burg për parkim dysh në rrugë.

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, teksa prezantoi ndryshimet, sqaroi se ndryshimet vijnë në kuadër të procesit të integrimit europian të vendit, duke afruar më tej legjislacionin shqiptar me atë të Bashkimit Europian, me qëllim përputhjen për aq sa është e mundur.

Dy ndryshimet e propozuara më të debatuara në opinionin publik dhe qarqet mediatike, është ashpërsimi i sanksionit penal për parkimin dysh dhe dekriminalizimin e shpifjes për gazetarët, duke i dhënë imunitet vetëm këtyre të fundit nga procedimi penal për veprën penale të shpifjes.

Kuvendi miratoi gjithashtu, ndryshimet ligjore për statusin e gjyqtarëve e prokurorëve’, me 85 vota si dhe Projektligji ‘Për organet e qeverisjes në drejtësi’.

Kuvendi miratoi me votat e socialistëve edhe ligjin për komisionet hetimore dhe mediat audiovizive.

Gjithashtu, Kuvendi miratoi edhe disa nisma të tjera ligjore, si akti normativ për buxhetin e vitit 2025, për ligjin e duhanit, ashpërsim i dënimeve për ndërtimet pa leje dhe zjarret.

Gjatë seancës plenare u miratuan gjithashtu:

Akti normativ për ndryshimet në ligjin e Buxhetit 2025

Projektligji për bashkëpunimin strategjik

“Shqipëria në Traktatin për Pronësinë Intelektuale”

Projektligji “Për tregtinë e pronësisë intelektuale”

Projektligji “Për shërbimet e agjencive të udhëtimit

Projektligji “Për tregtinë e paligjshme të duhanit”

Projektligji “Për ndryshimin e Kodit Penal”

Projektligji “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”

Projektligji “Për organet e qeverisjes në drejtësi”

Projektligji “Për dhunën ndaj grave dhe dhunën në familje”

Projektligji “Për lobimin në Republikën e Shqipërisë”

Projektligji “Për importin dhe eksportin e armëve”

Projektligji “Për organizimin e Komisioneve Hetimore të Kuvendit”

Projektligji “Për Mediat Audiovizive”


Shtuar 28.01.2026 09:02