Sokol Shehaj, tashmë ish-nëndrejtori i Kadastrës Vlorë, edhe pse jeton në Tiranë, ku ka edhe familjen, sërish doli krah punonjësve, duke kundërshtuar urdhrin e zhvendosjes së Institucionit drejt kryeqytetit.
Kjo, edhe pse institucioni zhvendoset drejt kryeqytetit dhe më afër familjes e banesës së tij.
Por dalja në krah e punonjësve për protestën dhe peticionin i ka kushtuar jo pak zyrtarit vendor.
Për këtë ai u pezullua fillimisht dhe më pas u shkarkua nga puna një ditë në parë, pa asnjë motivacion, vetëm pse mbajti anën e kolegëve.

Kolegët dhe vartësit e kanë përcjellë mes lotëve ditën e sotme, duke ndarë edhe përqafime mes tyre.
Teksa thërrisnin emrin e tij, “Koli, Koli, Koli…”, punonjësit ndanë përshëndetje, përqafime dhe deri në qepalla me ish-zyrtarin e Kadastrës tashmë.
Çfarë ndodhi?
Punonjësit e institucionit kanë protestuar dhe dorëzuar një peticion, ku shprehen kundër zhvendosjes së Kadastrës së Vlorës drejt Tiranës.

Burime brenda stafit të Hipotekës Vlorë bëjnë me dije se, pas dorëzimit të peticionit, punonjësit kanë marrë mbështetje nga zëvendësdrejtori i Ashk Vlore Sokol Shehaj.
Megjithatë, sipas të njëjtave burime, pas kësaj mbështetjeje mësohet se zyrtari në fjalë është shkarkuar nga detyra.
Ndërkohë, raportohet se ndaj 55 punonjësve të Hipotekës Vlorë po ushtrohet presion për përgatitjen e materialeve e drejt Tiranës.
Punonjësit shprehen se kjo situatë ka krijuar pasiguri dhe tension, duke rrezikuar vazhdimësinë e punës së tyre në qytet.
Në shenjë reagimi, punonjësit kanë kërkuar ndërhyrje dhe mbështetje nga përfaqësuesit e zgjedhur, ndërsa kanë vendosur të pezullojnë përkohësisht punën, deri në sqarimin e situatës dhe marrjen e një zgjidhjeje të drejtë.
