Qeveria mban të pandryshuar skenarin për rritjen ekonomike, parashikime jo realiste

Në kuadrin e ri makroekonomik, 2027-2029, qeveria mbajti të pandryshuar skenarin për rritjen ekonomike, me pritshmëri zgjerimi 4% këtë vit, 3.9 për qind në 2027 dhe 4.1% në 2028, sipas dokumentit që u botua në Fletoren Zyrtare.

Qeveria shqiptare projekton një rritje të qëndrueshme të ekonomisë në vitet 2027–2029, të mbështetur nga konsumi, investimet dhe turizmi, në një kohë kur tre shtyllat kryesore të ekonomisë prodhuese, eksportet, bujqësia dhe industria janë në rënie.

Sipas projeksioneve afatmesme, rritja pritet të gjenerohet kryesisht nga kërkesa e brendshme, veçanërisht nga konsumi privat dhe investimet, ndërsa kërkesa e huaj neto (eksport-import) parashikohet të ketë vetëm një ndikim të moderuar pozitiv.

Konsumi pritet të rritet mesatarisht me rreth 2.9% në vit, ndërsa investimet me 4.9%, të nxitura nga përmirësimi i besimit dhe nga kushtet më të lehta të kreditimit.

Eksportet parashikohen të vijojnë “trendin pozitiv”, me një rritje mesatare prej 4.6% në vit në periudhën 2027–2029, të mbështetur kryesisht nga turizmi.

Por këto parashikime, bien në kontrast të fortë me zhvillimet reale të viteve të fundit, ku eksportet e mallrave kanë rënë, prodhimi bujqësor është tkurrur dhe industria ka humbur peshë në ekonomi, duke reflektuar dobësimin e bazës prodhuese dhe konkurruese të vendit.

Edhe nga ana e ofertës, vetë projeksionet e qeverisë tregojnë një ekonomi që po mbështetet gjithnjë e më shumë te shërbimet, dhe gjithnjë e më pak te prodhimi.

Bujqësia parashikohet të rritet me vetëm 0.2% në vit, praktikisht pa ndikim në PBB. Industria me 2.6%, me një kontribut minimal në rritje.

Ndërkohë, shërbimet dhe ndërtimi do të mbajnë peshën kryesore të zgjerimit ekonomik.

Edhe punësimi pritet të rritet vetëm simbolikisht, me rreth 0.1% në vit, ndërsa zgjerimi i forcës së punës do të vijë kryesisht nga rritja e pjesëmarrjes dhe jo nga hapja e vendeve të reja të punës në sektorët prodhues.

Në këtë kuadër, projeksionet optimiste të rritjes nuk mbështeten në zhvillime reale në ekonomi, por në supozime për konsum më të lartë, turizëm më të fortë dhe klimë më të mirë financiare, ndërkohë që baza prodhuese e vendit po dobësohet./ Monitor


Shtuar 22.01.2026 07:56