PS njoftoi seancë plenare nesër për Bordit e Paqes për Gazën, PD: Nuk jemi njoftuar nga Peleshi

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, përmes një reagimi për mediat, ka bërë me dije se deri në orën 16:40 të ditës së sotme nuk ka marrë asnjë njoftim nga Kryetari i Kuvendit për zhvillimin e një seance plenare gjatë ditës së nesërme.

Sipas PD-së, me vendim të mazhorancës në seancën plenare të datës 19 janar 2026, në Kalendarin e Punimeve të Kuvendit është përcaktuar se këtë javë nuk do të zhvillohet seancë plenare, ndërsa seanca e radhës është planifikuar për të mbajtur më 27 janar.

Partia Demokratike thekson në njoftimin e saj, se sipas pikës 3 të nenit 27/1 të Rregullores së Kuvendit, mbledhja e seancës plenare dhe rendi i ditës duhet të njoftohen për deputetët dhe publikun si rregull 7 ditë përpara, por jo më vonë se 2 ditë përpara datës së caktuar.

Kujtojmë mazhoranca socialiste ka njoftuar se nesër Kuvendit do të mblidhet në një seancë të jashtëzakonshme, për të diskutuar për ftesën ndaj Shqipërisë për t’u bërë anëtare e Bordit të Paqes për Gazen.

Njoftimi i PD-së:

Të nderuar kolegë,

Në përgjigje të interesit të disa prej mediave, për pjesëmarrjen ose jo në një seancë plenare të supozuar pë t’u zhvilluar nesër, ju bëjmë me dije se deri në orën 16.40, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike nuk ka marrë asnjë njoftim nga Kryetari i Kuvendit për mbledhje të seancës penare gjatë kësaj jave. Me vendim të njëanshëm të mazhorancës në seancën plenare të datës 19.01.2026, në Kalendarin e Punimeve të Kuvendit, është përcaktuar që këtë javë nuk ka seancë plenare. Seanca plenare e rradhës është planifikuar për tu zhvilluar në datën 27 Janar.

Dëshirojmë të sjellim në vëmendjen tuaj se sipas pikës 3, të nenit 27/1 të Rregullores së Kuvendit, mbledhja e seancës plenare dhe rendi i ditës, i njoftohen deputetëve dhe publikut, si rregull 7 ditë përpara, por jo më vonë se 2 ditë përpara datës së caktuar për seancë plenare.

Transparenca dhe llogaridhënia ndaj qytetarëve i dikton Kuvendit të Shqipërisë, që për secilën çështje, për secilën vendimmarrje, të respektojë rregullat e parashikuara nga Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit, në respekt edhe të përgjegjshmërisë që duhet të tregojë secili deputet gjatë ushtrimit të funksionit të tij kushtetues.


Shtuar 21.01.2026 17:54

Tags: ,