Pretendonte se “shëronte” autizmin – arrestohet Arianit Sllamniku

Policia e Kosovës ka arrestuar Arianit Sllamnikun, dhe i njëjti është ndaluar për 48 orë.

Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin kryeprokurori i Gjilanit, Arben Kadriu.

Sllamniku dyshohet për veprat penale “Ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike” nga neni 256 i KPRK-së dhe “Eksperimente të kundërligjshme mjekësore dhe testime të barnave” nga neni 257 i KPRK-së.

Sllamniku, i cili nuk është mjek pretendon se disponon një ilaç për “shërimin” e autizmit tek fëmijët.

Pas raportimeve për mashtrim, mekanizmat shtetëror janë vënë në lëvizje.

Ndryshe nga Prokuroria Themelore në Gjilan gjatë ditës bënë të ditur për Telegrafin se policia është autorizuar të ndërmarrë veprimet hetimore në lidhje me rastin.

“Referuar kërkesës tuaj për informacion, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Gjilan konform Kodit të Procedurës Penale të Kosovës ka autorizuar Policinë për ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me rastin. Prokuroria Themelore në Gjilan do t’ju mbajë të informuar lidhur me veprimet tjera”, njoftuan nga Prokuroria.

Lidhur me raportimet për pretendimet e Sllamnikut ka reaguar dje edhe Ministria e Shëndetësisë, e cila ka shprehur shqetësimin e saj dhe ka bërë thirrje që qytetarët të besojnë vetëm në metoda të verifikuara shkencërisht, të ofruara nga institucione dhe profesionistë të licencuar shëndetësorë.

Ministria ka njoftuar se ka informuar institucionet kompetente dhe është në koordinim me Policinë e Kosovës për trajtimin e rastit.

Reagim ka pasur edhe nga KOMF e cila u bëri thirrje organeve të rendit dhe drejtësisë që të ndërmarrin urgjentisht veprimet dhe masat sipas legjislacionit në fuqi për të ndaluar dhe ndëshkuar veprimet e tilla të rrezikshme për shëndetin e fëmijëve dhe njëherit të paligjshme.


Shtuar 20.01.2026 15:38