Këtë të hënë, gjatë një interviste për News 24, ish-deputeti Lefter Maliqi, theksoi si të nevojshme bashkimin opozitar për të bërë të mundur rrëzimin e qeverisë së Edi Ramës nga pushteti.
Maliqi theksoi se protestat dy orëshe janë të pamjaftueshme para Kryeministrisë, duke shtuar se duhet të ketë orë më të zgjatura.
Gjithasht, ai kërkoi shtrirjen e protestave edhe në qytetet e tjera të vendit, si edhe grevë urie nga deputetët.
Ai tha se është i gatshëm të bashkohet edhe vetë nëse deputetët opozitarë janë të gatshëm të “vetësakrifikohen” dhe futen në grevë.
Maliqi u shpreh se duhet të rrethojnë kryeministrinë dhe madje të shkojnë edhe në Surrel.
Sipas tij, nuk duhet të presin amerikanët për të “goditur” qeverinë, por duhet të jetë vetë PD, si partia më e madhe opozitare, që ta largojë atë.
“Protesta e 24 janarit do të ketë vendimmarrje decizive për vazhdimësi. Jam për skenarin që duket të ketë protestues me orë të zgjatura, dhe të përhapet në të gjitha qytetet e Shqipërisë edhe për grevë urie të deputetëve. Edhe unë jam gati të futem në grevë urie.
Nëse deputetët sakrifikojnë, atëherë motivojnë demokratët. Skenar tjetër është rrethimi i kryeministrisë, protesta në qarqe të vendit, por edhe të marshojmë drejt Surrelit të krimit se nuk e di se çfarë ka në ato bunkerë”, u shpreh ai.
