Policia ka arrestuar një 31-vjeçar, banues në Kukës, i cili dyshohet se transportonte emigrantë të huaj kundrejt pagesës, nga Tirana drejt Kukësit, me qëllim kalimin ilegal fillimisht në Kosovë dhe më pas në shtetet e Bashkimit Evropian.
31-vjeçari u kap në flagrancë në rrugën e vjetër të Rinasit, duke transportuar me automjetin e tij 6 emigrantë nga Egjipti.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, si rezultat i një hetimi njëmujor, të ndjekur me metoda speciale, në koordinim me Prokurorinë e Tiranës, për të dokumentuar veprimtarinë kriminale të një shtetasi që dyshohej se transportonte emigrantë, kundrejt pagesave, nga Tirana drejt Kukësit, me qëllim kalimin ilegal, fillimisht në Kosovë dhe më pas në shtete të BE-së, finalizuan fazën e tretë të operacionit “Relay”.
Gjatë operacionit u kap autori i dyshuar i kësaj veprimtarie kriminale, shtetasi K. G., 31 vjeç, banues në Kukës. Në automjetin që drejtonte ky shtetas, në rrugën e vjetër të Rinasit, ishin 6 emigrantë nga Egjipti. Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë hetime për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast”,– njofton policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
