15-vjeçari nga Cërriku triumfon në Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës në SHBA

Një histori suksesi që bën krenar jo vetëm qytetin e Cërrikut, por mbarë Shqipërinë. Loris Qosja, nxënës i klasës së 9-të nga Cërriku, ka arritur një fitore të jashtëzakonshme duke triumfuar në Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës, e zhvilluar në Orlando, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Vetëm 15 vjeç, Loris ngriti flamurin shqiptar në një nga kompeticionet më prestigjioze ndërkombëtare për moshën e tij, duke u renditur i pari në matematikë. Sukseset e tij nuk u ndalën me kaq, pasi ai arriti të fitojë edhe vendin e tretë në Olimpiadën Ndërkombëtare të Kimisë, duke dëshmuar talentin e tij të spikatur në shkencat ekzakte.

Pas këtij suksesi qëndron një punë e palodhur dhe përkushtim i jashtëzakonshëm. Loris studion matematikën rreth 6 deri në 8 orë çdo ditë, ndërsa si çdo adoleshent, gjen kohë edhe për veten, duke i kushtuar rreth dy orë në ditë telefonit.

Një rol të rëndësishëm në formimin e tij ka pasur mësuesja Flutura Hoxholli, e cila e ka mbështetur dhe përgatitur nxënësin jo vetëm gjatë orëve mësimore, por edhe jashtë orarit dhe gjatë pushimeve, duke arritur rezultate të shkëlqyera.

Edhe pse familja e tij nuk kishte mundësi financiare për të përballuar udhëtimin drejt SHBA-së, Loris nuk mbeti pa mbështetje. Bashkia Cërrik, me vendim të Këshillit Bashkiak, siguroi fondet për udhëtimin e Loris Qosjes dhe mësueses së tij, duke i dhënë mundësinë të përfaqësojë Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.


Shtuar 19.01.2026 13:52