Operacioni i SPAK-ut ndaj një call center-i mashtrimi u dekonspirua. Këtë e thotë vetë njoftimi zyrtar i SPAK-ut. Faktet janë të thjeshta: mbrëmjen e 15 janarit 2026, persona të identifikuar si personel vëzhgues njoftuan pronarët për një ndërhyrje të mundshme; brenda natës, ambientet u boshatisën dhe pajisjet u larguan; më 16 janar, hetuesit gjetën një strukturë të zhdukur.
Çështja bëhet edhe më e rëndë po të shihet çfarë po hetohej. Investigimi nisi pas ankesave të shtetasve italianë të mashtruar. Gazetarë italianë arritën të infiltrojnë një shtetas italian në call center, i cili punoi aty dhe regjistroi të dhëna nga brenda.
Bëhet fjalë për një veprimtari të dyshuar mashtrimi ndërkombëtar, me shtetas italianë dhe shqiptarë të përfshirë, viktima jashtë Shqipërisë, transaksione të kryera në kriptovaluta, platforma mashtruese të menaxhuara nga drejtuesit e aktivitetit.
Pra, nuk ishte një call center informal. Ishte një skemë e organizuar mashtrimi ndërkufitar, e dokumentuar fillimisht nga gazetarë të huaj dhe më pas nga organet hetimore.
Fakti që zyrat u boshatisën brenda natës tregon se dikush me akses në informacion shtetëror ka ndërhyrë në mënyrë të paligjshme.
Kapja në flagrancë e disa personave që transportonin pajisjet drejt një ambienti tjetër është reagim pas dëmit. Dëmi është bërë më herët: provat u prekën, u zhvendosën, potencialisht u fshinë.
Këtu qëndron problemi institucional. SPAK njofton për indicie, por nuk sqaron përgjegjësinë. Nuk dihet kush ishte personeli vëzhgues, kush kishte dijeni për kohën e ndërhyrjes, çfarë masash janë marrë ndaj rrjedhjes së informacionit.
Në një rast me impakt ndërkombëtar, ku Shqipëria ekspozohet si territor i veprimtarive mashtruese ndaj shtetasve të huaj, heshtja institucionale është e papranueshme. Llogaridhënia nuk është opsion komunikimi, por detyrim funksional.
Ministri i Brendshëm, Ministri i Drejtësisë dhe Kryeministri, nuk mund të qëndrojnë në distancë nga një operacion i dekonspiruar ndaj një strukture mashtrimi që vepronte me kriptovaluta dhe viktima italiane por supozohet dhe nga vende të tjera meqë siç pamë struktura ishte e organizuar në bazë ekipesh që kishin target klientë nga Spanja, Gjermania, Franca etj.
E problemi nuk është vetëm penal. Është problem sigurie, besueshmërie dhe përgjegjësie shtetërore.
Kush e dekonspiroi operacionin ndaj call center-it të mashtrimit dhe pse nuk ka përgjigje e as pyetje?

