Kryeministri Edi Rama, në mbyllje të takimit, njoftoi ngritjen e një grupi të përbashkët pune mes qeverisë dhe bashkive.
Sipas Ramës, në krye të këtij grupi pune do të jetë ministri i Pushtetit Vendor, Ervin Demo. Nga ana e qeverisë, grupi do të përbëhet gjithashtu nga ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, ministri i Kulturës dhe Turizmit, Blendi Gonxhe, si dhe ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj.
Ndërkohë, bashkitë do të përfaqësohen nga kryetarët e bashkive Lezhë, Maliq, Shkodër, Himarë, Durrës dhe Roskovec. Kryeministri theksoi se ky grup pune do të shërbejë për adresimin dhe trajtimin e problematikave të bashkive.
“Është koha të krijojmë një grup pune të përbashkët me qeverinë dhe bashkive për të trajtuar të gjitha problemet dhe për t’i futur në vijë si në aspektin rregullativ apo dhe në aspektin e problematikave të ndryshe.
Janë përfaqësuesit tuaj në këtë grup dhe ky grup do duhet të trajtojë çështje specifike nën drejtimin e ministrit të pushteti qendror dhe ai më pas do t’i drejtohet qeverisë për ndryshime në ligje, nxjerrje urdhëresash të reja dhe krijimin e sinergjive të reja”, tha Rama.
