Krimi i rëndë që tronditi opinionin publik më 2 janar të këtij viti, ku burri vrau gruan dhe më pas veten, është rikthyer sot në emisionin ‘Me zemër të hapur’ në News24.
Një ngjarje e rëndë është regjistruar mesditën e datës 2 janar në Orikum, ku Llogora Xhebroj, 52-vjeç, vrau bashkëshorten e tij, Sose Xhebroj më pas i dha fund jetës, ngjarje që ndodhi në banesën e çiftit.
Sipas dëshmive të familjarëve, ata kishin pasur konflikte të vazhdueshme dhe ishin ndarë rreth dy vite më parë, për t’u ribashkuar më pas, por konfliktet kishin vijuar dhe së fundmi ndodheshin në proces divorci.
Një familjar i tyre, ka hedhur dritë mbi ngjarjen dhe marrëdhënien konfliktuale të çiftit, që çoi në zhvillimin dramatik, me dy viktima.
Ai tha se çifti ishin të martuar prej gati 20 vitesh dhe se nuk ishte në dijeni se ishin në proces divorci.
Ai tha se fëmijët, dy djemtë e çiftit janë të traumatizuar pas ngjarjes së rëndë, ku një të njëjtën ditë humbën nënën dhe babanë.
“E mora vesh nga televizori ngjarjen. Kisha nja 2-3 muaj që se kisha parë Llogoranë. Nuk më kishte shprehur asnjë shqetësim. Sosen mund ta kem takuar rreth 2 muaj më parë. Kishin nja 20 vite martesë. Nuk e di që ishin në proces divorci. Nuk dija asgjë. I kam marrë vesh kur ndodhi ngjarja. Fëmijët janë të traumatizuar. Sa të marrin veten. Isha në varrim. Siç i zuri halli familjen e Soses, na zuri dhe ne. Mos i ndodhte njeriu. Nuk kam ditur si kanë rrjedhur gjërat. S’mund të akuzoj askënd. Llogora ishte njeri korrekt, i drejtë. Ishin të rregullt të dy, punonin bashkë. Ishin familje e rregullt si çdo familje shqiptare. Por kur nuk takon me dikë, sia di problemet. Burrë e grua u varrosën të ndarë. Është fatkeqësi që nuk ua uroj asnjë njeriu”, tha ai.
