Automjeti tip “Audi”, me targë ‘AB 700 RS’, me të cilin u arratis ditën e sotme nga spitali Rajonal i Durrësit, Altin Ndoci është zbuluar. Ndoci u largua sot pas një vizite mjekësore në spital, edhe pse i shoqëruar nga disa efektivë të burgjeve.
Dyshohet se arratisja e tij ishte e mirëplanifikuar, pasi automjeti në fjalë ka qenë duke e pritur atë në parkingun e spitalit. Konkretisht Ndoci ishte shoqëruar nga paraburgimi i Durrësit për në spitalin Rajonal të qytetit, për të kryer një vizitë mjekësore te infektivi, në katin e tretë të spitalit, i cili ka edhe repartin e posaçëm të sigurisë për të dënuarit.
Nga burgu drejt spitalit, Ndocin e kanë shoqëruar 5 policë, shoferi dhe 4 efektivë, por 2 prej efektivëve kanë qëndruar në makinë bashkë me drejtuesin dhe 2 policë të tjerë e kanë shoqëruar brenda spitalit. Gjatë vizitës, Ndoci ka kërkuar të shkojë në tualet dhe njeri prej policëve të burgjeve e ka shoqëruar.
Në këtë moment, kur sapo ka dalë nga tualeti, Ndoci ka goditur dy efektivët në pjesën e barkut dhe i ka shtyrë duke i larguar me shpejtësi nga kati i tretë i spitalit. Të dy efektivët që e shoqëronin brenda spitalit, e ndoqën dhe njëri prej tyre mësohet se ka qëlluar në ajër jashtë spitalit për ta trembur të arratisurin.


