FOTOT/ Festa e ndërrimit të viteve lë pasoja, fishekzjarret djegin plotësisht dy makina në Elbasan

Gjatë festimeve për ndërrimin e viteve në shtatë bashkitë e Qarkut Elbasan, si pasojë e hedhjes së fishekzjarrëve, nuk janë shënuar incidente të rënda me pasoja për qytetarët.

 

 

Megjithatë, burime jozyrtare bëjnë me dije se në zonën midis lagjes “5 Maji” dhe asaj “Emin Matraxhiu” në qytetin e Elbasanit, nga hedhja e pakontrolluar e fishekzjarrëve, janë djegur plotësisht dy automjete, ndërsa dy të tjera kanë pësuar dëmtime të pjesshme.

 

 

Ndërkohë, shërbimet e Policisë në të gjithë territorin e Qarkut Elbasan kanë qenë në gatishmëri të plotë dhe vijojnë monitorimin e situatës, veçanërisht të qarkullimit rrugor.

Sipas të dhënave, trafiku në të gjitha rrugët e qytetit të Elbasanit ka qenë i dendur edhe gjatë natës së ndërrimit të viteve.

Po ashtu, ambientet ku u zhvilluan festimet kanë qenë mjaft të frekuentuara nga qytetarët, ndërsa Policia ka vijuar praninë dhe kontrollin për të garantuar rendin dhe sigurinë publike gjatë gjithë natës festive në të shtatë bashkitë e Qarkut Elbasan.


Shtuar 1.01.2026 07:40