GJKKO pranon kërkesën e SPAK/ Zgjaten afatet hetimore për dosjen “Bankers”

Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, GJKKO ka zgjatur afatet hetimore me 3 muaj për dosjen “Bankers”.

Sipas organit të akuzës, kërkesa bazohet në kryerjen e veprimeve të tjera hetimore shtesë për shkak të kompleksitetit të çështjes.

I vetmi që ndodhet në masën arrest në burg për këtë çështje është CEO kinez i kompanisë, Hongping Xiao, ndërsa të gjithë të pandehurit e tjerë, janë në masa më të buta si arresti i shtëpisë.

Hetimet lidhen me deklarime të dyshimta tatimore dhe shmangie të detyrimeve financiare nga 2004–2024, duke shkaktuar dëm të konsiderueshëm financiar në buxhetin e shtetit.

Sipas Prokurorisë, Bankers ka realizuar shitje dhe eksporte nafte në vlerën totale prej 532 miliardë lekësh, por ka deklaruar humbje për çdo vit, me një total prej 11.7 miliardë lekësh, duke shmangur tatimin mbi fitimin dhe përfituar rimbursime të dyshimta të TVSH-së.

Disa ditë më parë Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka bllokuar aktivitetin e “Bankers Petroleum” për shkak të gjobës 120 milionë euro ende të pashlyer, të vendosur në 2019 pasi kompania naftënxjerrëse nuk kishte paguar 30 milionë euro akcizë për holluesin.


Shtuar 31.12.2025 11:34