Pse kënga “Duart Lart” e Vlashent Satës është kaq e veçantë?

Këngëtari dhe kompozitori Vlashent Sata ka publikuar prej disa ditësh këngën e tij më të re, të cilën e interpretoi edhe natën e parë të Festivalit të Këngës në RTSH. “Duart Lart” titullohet krijimi i tij i fundit, një këngë që mbart pas vetes një histori të trishtë, të tmerrshme, por mbi të gjitha shumë aktuale dhe të vërtetë.

“Kjo këngë ka lindur nga një imazh që e kam parë vetëm një herë. Ishte imazhi i një ushtari që kishte mbështetur pushkën në trupin e një djali 9 apo 10-vjeçar. Djali ishte në gjunjë, me dorën në plagë, duke thirrur të atin, derisa shtrihet dhe mbaron. Ishte një imazh që nuk më la të flija. U ngrita dhe e shkrova këtë këngë,” rrëfen Vlashenti.

Si baba i një djali 3-vjeçar, por edhe si një artist i ndjeshëm dhe i ndërgjegjshëm, Vlashent Sata na e përcjell këtë histori në një mënyrë që na detyron të ndalemi dhe të reflektojmë. Teksti i këngës, i thjeshtë por i fortë, na përball me një realitet të dhimbshëm: në prag festash, në shumë vende të botës njerëzit nuk festojnë, por luftojnë për jetën e tyre.

“Duart Lart” vjen si një protestë muzikore kundër luftës, duke prekur figurën më të pafajshme që ekziston – fëmijën. Në përditshmërinë tonë shpesh jemi aq të zënë, saqë edhe pas qindra lajmeve dhe imazheve që na serviren çdo ditë, çdo minutë, nga lufta në Gaza apo në Ukrainë, ndalojmë së reflektuari. E shohim, por nuk ndalemi; dëgjojmë, por nuk përjetojmë.

Sigurisht, ajo që kemi realisht në dorë të bëjmë është pothuajse asgjë. Por muzika ka fuqinë të na ndalë për një çast, të na shkëpusë nga rrjedha e jetës sonë dhe të na bëjë të “vajtojmë”, ashtu siç bën edhe Vlashenti në këtë këngë. Të vajtojmë për pamëshirën e marrjes së jetës së një fëmije përpara syve të prindërve të tij, nga një armë e ftohtë, pa ndjenja.

Dhe ndoshta pikërisht këtu qëndron veçantia e “Duart Lart”: në faktin se nuk kërkon zgjidhje, por ndërgjegjësim; nuk bërtet, por prek; nuk harron, por na kujton se humanizmi duhet të jetë gjithmonë më i fortë se lufta.

Pjesë nga teksti i këngës:

Burra që kujtojnë janë Zot

Luftë po bajnë, po vriten kot

Ku je Zot?

Ti rrin tuj pa e s’ban gja, ti s’thu gja…

Ti fëmijë, pritëm deri sa të vij…


Shtuar 27.12.2025 17:25