Këtë të hënë 22 dhjetor 2025, Klodian Braho, ka marrë zyrtarisht detyrën si kreu i ri i Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK).
Në ceremoninë e marrjes së detyrës, ai mbajti edhe një fjalë të shkurtër për mediat.
Teksa vlerësoi dy paraardhësit e tij, Arben Kraja dhe Altin Dumani, Braho theksoi se misioni i tij do të jetë garantimi i zbatimit të ligjit dhe pavarësia e prokurorëve të posaçëm.
“Së pari shpreh falenderimin tim për KLP pë besimin. Marrja e detyrës më shumë se moment simbolik është angazhim për të respektuar kushtetutën e ligjit, për të mbrojtur pavarësinë e SPAK dhe forcuar më tej besimin e qytetarëve. Falë mbështetjes së partnerëve ndërkombëtarë, SPAK po forcohet si strukturë solide e ndjekjes penale. Dëshiroj të vlerësoj parardhësit e mi, zotin Kraja dhe zotin Dumani.
Në ushtrimin e kësaj detyre, fokusi im do të mbetet forcimi i funksionimit të brendshëm, respektimi rigoroz i standarteve ligjore dhe garantimi i pavarësisës së prokurorëve të posaçëm në ushtrimin e detyrës. BKH dhe sektori I hetimit financiar janë shtylla të rëndësishme të SPAK. Bashkëpunimi i ngushtë mes prokurorëve dhe hetuesve do të vijojë të forcohet duke synuar hetime më cilësore dhe rezultate konkrete. Institucioni do të vazhdojë të komunikojë me median e publikun duke respektuar kornizën ligjore”, u shpreh Braho.
Një mesazh kishte edhe për kolegët e tij, teksa tha se misioni i Prokurorisë shkon përtej mandateve individuale.
“Të nderuar kolegë, misioni i SPAK shkon përtej mandateve individuale. Jemi një skuadër, të punojmë krah për krah dhe përkushtim në përmbushtje të zotimit ndaj kushtetutës dhe qytetarëve shqiptarë”, shtoi kreu i ri i SPAK.
Braho do të drejtojë Prokurorinë e Posaçme, për tre vitet e ardhshme pa të drejtë rikandidimi.
