Me afrimin e festave të fundvitit, fluksi i emigrantëve shqiptarë që kthehen nga Greqia drejt vendit është rritur ndjeshëm.
Në pikën kufitare të Kakavijës, konkretisht në territorin grek, situata paraqitet e rënduar, me kolona të gjata automjetesh dhe autobusësh që shtrihen për kilometra të tëra.
Mësohet se pritja nga sportelet greke deri në hyrjen në anën shqiptare arrin rreth 4 kilometra, ndërsa udhëtarët detyrohen të qëndrojnë në radhë deri në 3 orë për të kaluar kufirin.
Arsyeja kryesore e vonesave lidhet me funksionimin e vetëm dy sporteleve nga pala greke, të cilat nuk po arrijnë të përballojnë numrin e lartë të emigrantëve që po kthehen në Shqipëri për të festuar me familjet e tyre.
